Në mbledhjen e qeverisë të datës 30 qershor 2026, një prej vendimeve të marra është edhe ai për transferimin e 88.8 hektarëve tokë shtetërore në Vlorë në dispozicion të kompanisë “RAMS Albania”.
Prej vitit 2025 imazh dhe përfaqësues publik i kompanisë “RAMS”është aktori turk Burak Ozçivit, i njohur nga shqiptarët si Osmani, pas serialit turk me të njëjtin titull.
Kompania do të investojë në projektin strategjik të investimit strategjik “Vlorë TEDA/RAMS Free Zone”. Prej muajit shkurt me një tjetër VKM kjo kompani është shpallur investitore strategjike.
Lajmi është komentuar edhe nga kreu i Partisë “Mundësia” Agron Shehaj.
Shehaj denoncoi sot vendimin e qeverisë, përmes të cilit, Edi Rama ka shpallur investitor strategjik kompaninë “RAMS Albania”, duke i dhënë në përdorim rreth 88.8 hektarë (gati 1 milion m²) tokë në Vlorë.
Gjatë deklaratës së tij, Shehaj publikoi dokumentin e vendimit të qeverisë dhe tha se kompania ka si përfaqësues publik aktorin turk të njohur si “Osmani”, duke e cilësuar këtë si një tjetër rast të dhënies së pronës publike për interesat e tij.

“Në 2026 gjithçka prisnim, por që Osmani të pushtonte Vlorën nuk e prisnim.
Duket e pabesueshme, por Edi Rama me vendim qeverie i ka dhënë Osmanit pothuajse 1 milion metër katrorë tokë në Vlorë.
Ky është vendimi i Edi Ramës nëpërmjet të cilit vendos që kompania “Rams Albania” , që ka si përfaqësues “Osmanin” shpallet investitor strategjik dhe i falen 88 ha tokë.
“Osmani” do të investojë në Vlorë. Ne e kishim parë që vinte vërdallë në Vlorë para një viti thuajse, kishte dalë në foto edhe me kryetarin e bashkisë dhe thoshte se sa e bukur është Vlora dhe sa punë të jashtëzakonshme kishte bërë kryetari i bashkisë dhe Partia Socialiste.
Kurrë nuk mund të mendonim se po përgatitej pushtimi i Vlorës.
Falja e 88 ha tokë, ndërkohë që qytetarët kërkojnë pronat dhe tokat e tyre, Edi Rama i përdor ato për të bërë pazare me qëllime okulte me Osmanin.
Është e qartë që Edi Ramës i ka ardhur fundi dhe po kërkon në çdo mënyrë që të shpëtojë, t’i shpëtojë drejtësisë dhe të mbajë pushtetin, por kjo nuk ka për të ndodhur sepse njerëzit nuk e durojnë dot më, duan dorëheqjen e tij dhe që ai të dalë para drejtësisë”, deklaroi Shehaj.
