Cristiano Ronaldo u rikthye te Manchester United për të vazhduar karrierën e tij në klubin britanik, me dëshirën për të qenë përsëri protagonist në “Old Trafford”, aty ku u bë nga emrat më të suksesshëm të futbollit botëror.

Një stadium ku ai mbajti numrin 7, fanellën që kishin veshur para tij disa idhuj për tifozërinë si Cantona e Beckham. Por me këtë rikthim, fanella me numrin 7 mund të mos jetë ajo që do të mbajë.

Numri 7 aktualisht mbahet nga Edinson Cavani, i cili nuk hoqi dorë nga ai numër edhe kur erdhi Jadon Sancho, duke shtyrë këtë të fundit që të mbante 25-ën. Ndërsa edhe numrat e tjerë të sulmuesve si 9, 10 apo 11 janë të gjithë të zënë te Manchester United.

Kështu, në Angli që tani ngrihen hipoteza se numri i tij i ardhshëm do të jetë ai 28, që ka mbajtur në vitet e tij të para te Sporting Lisbona. Një lëvizje e ngjashme me Lionel Messin i cili zgjodhi 30-ën meqë fanella me numrin 10 ishte e zënë nga Neymar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb