Zv.Sekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Rose Gottemoeller ndodhet sot në Tiranë, në një vizitë zyrtare. Gottemoeller nisi axhendën e takimeve zyrtare në Ministrinë e Jashtme, ku u prit në një takim nga ministri Ditmir Bushati.

Dy zyrtarët dolën në një deklaratë të përbashkët për mediat në përfundim të takimit, në të cilën ministri i Jashtëm Bushati vlerësoi si mjaft të mirë bashkëpunimin me NATO-n.

“Ne e vlerësojmë këtë arritje dhe duke zbatuar angazhimet në praktikë dhe nga ana tjetër duke u përpjekur për të projektuar dhe rezonuar më shumë stabilitet demokratik në Ballkanin Perëndimor dhe në Europën Juglindore”, theksoi ai. Nga ana tjetër, ministri Bushati theksoi projeksionin pozitiv që ka Shqipëria për shpenzimet në fushën e mbrojtjes. ”Shqipëria ka një rritje në shpenzimet për buxhetin e mbrojtjes, sikundër do të vijojë që të japë kontributin e saj nëpër misionet dhe operacionet që drejtohen nga NATO”, u shpreh Bushati.

Bushati dhe Gottemoeller shkëmbyen pikëpamje rreth situatës së sigurisë në rajon. Ministri Bushati gjithashtu vlerësoi rolin e KFOR-it në Kosovë, duke e konsideruar një spirancë stabiliteti për Kosovën dhe më gjerë. “Kemi shprehur gatishmërinë tonë për të bashkëpunuar më tej në mënyrë që rrezja e stabilitetit demokratik të NATO-s në rajonin tonë dhe më gjerë të jetë e pacenueshme”, tha ai.

Zv.Sekretarja e Përgjithshme e NATO-së Rose Gottemoeller, nga ana e saj vlerësoi kontributin e Shqipërisë në NATO, duke u shprehur se në këtë dekadë është treguar se “Shqipëria brenda NATO na bën më të sigurtë”.

Bushati Nato

Duke u ndalur në situatën në rajon, Gottemoeller tha se NATO ka përforcuar angazhimin praktik të mëtejshëm në Ballkanin Perëndimor. “NATO mbështet dialogun e suportuar nga BE mes Prishtinës dhe Beogradit, si e vetmja mënyrë për paqe dhe stabilitet në rajon. Mbështetemi te Shqipëria që të vazhdojë të përdorë influencën e saj në këtë process dhe Beogradi dhe Prishtina të tregojnë qetësi dhe vetëpërmbajtje”, tha znj. Gottemoeller.

Vitin e ardhshëm kremtohet dhe 70-vjetori I themelitimit të NATO-s dhe zv.Sekretarja e Përgjithshme e NATO tha se mirëpret me kënaqësi Shqipërisë, pasi ky eveniment përkon dhe me 10-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën Euroatlantike.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb