Një moment mjaft prekës është regjistruar në podiumin e protestës përpara Kryeministrisë, ku mes qytetarëve dhe aktivistëve ka marrë fjalën edhe një i mitur, nxënës i shkollës “Kiço Blushi”. Ai ka zgjedhur të ngrejë zërin për bashkëmoshatarët e tij dhe të nderojë kujtimin e Martin Canit, të riut që humbi jetën tragjikisht pak kohë më parë.
Me pafajësinë e moshës por me një guxim të madh, nxënësi ftoi të gjithë turmën e pranishme në shesh të mbanin një minutë heshtje, ndërsa në fund lëshoi një thirrje të prerë për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
I riu nisi fjalën e tij duke kujtuar bashkëmoshatarin e ndjerë dhe duke përcjellë një mesazh solidariteti që bëri që i gjithë sheshi të heshtte në shenjë respekti.
“Jam një nxënës i shkollës ‘Kiço Blushi’ dhe dua të flas për bashkëmoshatarët e mi. Dua të flas për Martin Canin që ndërroi jetë, dua të mbajmë një minutë heshtje për të. Faleminderit…” u shpreh ai mes emocioneve.
Pasi vlerësoi institucionin ku studion, nxënësi shprehu keqardhjen e tij të madhe për vështirësitë që kanë shumë fëmijë shqiptarë sot për t’ u arsimuar për shkak të kushteve të vështira ekonomike dhe dështimit të sistemit.
“Shkolla ime ka qenë më e mira që kam pasur. Më vjen keq për ata fëmijë që nuk marrin dot arsim. Edi Rama jep dorëheqjen! Jep dorëheqjen sa më parë!” përfundoi ai fjalën e tij, duke u shoqëruar nga duartrokitjet e fuqishme dhe thirrjet mbështetëse të mijëra protestuesve të mbledhur përpara Kryeministrisë.
