Policia e Vlorës ka nisur procedimin penal ndaj dy administratorëve firmash, pasi janë kapur duke marrë materiale nga shtrati i lumit Shushicë pa leje nga organet kompetente.

Gjithashtu, ka nisur procedimi penal edhe ndaj një shtetasi tjetër, me detyrë inspektor i IKMT Vlorë, i cili akuzohet për shpërdorim detyre.

Njoftimi i policisë:

Në kuadër të zbatimit të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, në vijim të kontrollit të ushtruar për mbrojtjen e territorit, në lumin Shushicë janë konstatuar disa automjete që po gërmonin shtratin e këtij lumi. Për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko Financiare kanë proceduar penalisht shtetasit:

F. H., 58 vjeç, banues në Vlorë dhe V. D., 39 vjeç banues në fshatin Bunavi, Vlorë.
Këta shtetas u proceduan pasi në vendin e quajtur “Kthesa e Picarit”, në shtratit e lumit Shushicë, u konstatuan disa automjete të rënda të dy firmave të ndryshme të administruara prej tyre, duke marrë materiale inerte (zhavorr) pa lejet përkatëse mjedisore, me qëllim tregtimin e tyre pa dokumentacionin tatimor përkatës.

Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare u procedua penalisht për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, shtetasi A. H., 47 vjeç, me detyrë inspektor i IKMT Vlorë, pasi dyshohet se nuk ka kryer kontrolle të vazhdueshme për monitorimin e territorit.
Materialet iu referuan prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb