Analisti Fatos Lubonja, duke komentuar protestën që ka hyrë në ditën e saj të 30-të, u shpreh se ajo duhet parë në disa nivele, duke e cilësuar si një kryengritje qytetare kundër një sistemi që, sipas tij, ka përjashtuar qytetarët nga vendimmarrja.

Sipas Lubonjës, në thelb protesta përfaqëson reagimin e njerëzve që, pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme politike apo zhvillimore, bashkohen nga ndjenja e dinjitetit të cenuar dhe përjashtimit nga proceset vendimmarrëse. Lubonja shtoi se, sipas tij, ky përjashtim ka sjellë pasoja konkrete për qytetarët, duke përmendur çështjen e pronave dhe zhvillimit të bregdetit.

Ai vlerësoi gjithashtu se protesta ka arritur të sensibilizojë opinionin publik, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, duke e konsideruar këtë një sukses të lëvizjes. Lubonja theksoi se objektivi politik i protestës mbetet dorëheqja e qeverisë dhe krijimi i një qeverie teknike, duke shtuar se kjo kërkon këmbënguljen e protestuesve për të vijuar qëndresën e tyre.

“Kjo protestë mund të shihet në disa nivele. Ai bazë është; kryengritje kundër një sistemi ku qytetari është ndjerë i përjashtuar. Të gjithë ata njerëz që kanë pikëpamje të ndryshme mbi zhvillimin, i bashkon dinjiteti i fyer për shkak të përjashtimit nga vendimmarrja. Kjo i ka përjashtuar dhe nga gjerat reale, po i vjedh tokat dhe po i nxjerr jashtë brigjeve të Adriatikut dhe Jonit. Kjo është masë njerëzore që po mëson demokracinë. Senzibilizimin brenda dhe jashtë vendit, ka qenë në mënyrë të suksesshme. Programi politik i kësaj lëvizjeje është dorëheqja e kësaj qeverie, deri te qeveria teknike. Kjo kërkon këmbënguljen njerëzve për të ndenjur aty. Ku fola për senzibilizim ndërkombëtar, po duket se duan të fusin një narkoshtet në Europë për qëllimet e tyre. Kjo është e papranueshme dhe për shqiptarët. Kjo është dizastër dhe për Europën vetë. Ata e kanë kuptuar dhe po dalin këto gjëra në shtyp. Pse këta ça presin që të na masakrojnë në rrugë? Ne kemi policinë, shtetin, drejtësinë. Ndaj nuk jemi në regjimin e Enver Hoxhës. Nëse ky quhet revolucion, ai krijon një përmbysje, një tërmet të institucionet. Do të krijojë një kaos. Nga kaosi lind rendi.”, tha Lubonja për “Programin e drekës” në News24 me Ola Brukon.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: