KOSOVE- Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Ruari O’Connell ka thënë se zgjedhja e presidentit të Kosovës është përgjegjësi e Parlamentit të Kosovës që përfaqëson dhe jep llogari popullit të saj.

Në një postim në rrjetin social Facebook, O’Connell ka thënë se Britania do të vazhdojë të punojë me liderët e zgjedhur të Kosovës.

“Parlamenti ka zgjedhur Hashim Thaçin si President. Si mike e vërtetë e Kosovës, Britania do të punojë me liderët e zgjedhur nga ju për të vazhduar interesat tona të përbashkëta, prosperuese, funksionale, për Kosovë të sigurt, drejt BE-së”, ka shkruar ai.

Në fund të postimit, ai u ka bërë thirrje liderëve politikë që të nisin dialogun për t’i dhënë fund dhunës.

“Tani është e rëndësishme që të gjitha palët të punojnë në sfidat e Kosovës. Kjo ka nevojë për fundin e dhunës së vazhdueshme, respekt për kundërshtarët politikë nga secila anë dhe rikthim në dialog”, ka shkruar ai.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb