Një grup i bamirësisë ka thënë të martën se ushtria izraelite kreu një sulm ajror ndaj punëtorëve të tij në Gazë, duke i vrarë së paku shtatë persona, përfshirë disa të huaj.

Kuzhina Qendrore Botërore, një grup i bamirësisë i themeluar nga kuzhinieri i famshëm Jose Andres, tha të martën se shtatë punëtorët e vrarë janë nga vende si, Australia, Polonia, Britania e Madhe, si dhe një me shtetësi amerikano-kanadeze.

Ky grup tha se do ta pezullojë menjëherë punën në këtë rajon.

Sipas tij, punëtorët ishin duke i shpërndarë ndihmat e nevojshme ushqimore që kishin mbërritur në Gazë përmes detit të hënën, kur u goditën në mbrëmje.

Izraeli ka thënë se është duke e hetuar këtë incident.

Ushtria izraelite shprehu “pikëllim të sinqertë” për vdekjen e punëtorëve, por nuk e pranoi përgjegjësinë.

Vende të ndryshme, përfshirë Shtetet e Bashkuara, kanë filluar këtë muaj të dërgojnë ndihma humanitare edhe përmes detit në Gazën e rrënuar nga lufta.

Kombet e Bashkuara dhe partnerët kanë paralajmëruar se uria mund të prek pjesën e shkatërruar, të izoluar të veriut të Gazës gjatë këtij muaji.

Zyrtarët humanitarë kanë thënë se dërgesat nga deti dhe ajri nuk janë të mjaftueshme dhe se Izraeli duhet të lejojë që më shumë ndihmë të hyjë përmes rrugëve tokësore.

Një gjykatë e lartë e OKB-së ka urdhëruar Izraelin që të hapë më shumë pikëkalime tokësore dhe të ndërmarrë masa për të adresuar krizën humanitare.

Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmoi jugun e Izraelit, duke vrarë 1.200 civilë dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë.

Sulmet ajrore dhe tokësore izraelite kanë lënë të vrarë më shumë se 33.000 palestinezë, sipas autoriteteve lokale në Rripin e Gazës.

Luftimet kanë detyruar mbi 80 për qind të popullsisë së Gazës të zhvendoset dhe qindra mijëra janë buzë urisë, kanë thënë Kombet e Bashkuara dhe agjencitë ndërkombëtare të ndihmës./REL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: