Konferenca e OKB-së për klimën përfundoi të dielën, dy ditë më vonë se sa ishte planifikuar, me krijimin e një “fondi të kompensimit të humbjeve dhe dëmeve”, për të cilin analistët thonë se është një hap drejt ndihmës për njerëzit që tashmë po vuajnë më shumë nga ndryshimet klimatike. Por, në vendbanimet e goditura nga rrëshqitjet e dheut në Brazil, vendasit thonë se do të duhen më shumë se para për të shmangur katastrofën.

Në vitin 2020, dhjetëra njerëz humbën jetën nga shirat që shkaktuan rrëshqitjen e dheut në një vendbanim të varfër në Brazil. U deshën ditë të tëra për të nxjerrë trupat e viktimave.

Familjet e zonës thonë se ndryshe nga rasti i viteve dhe brezave të kaluar, shiu tashmë është agresiv, i rrezikshëm dhe i tmerrshëm.

“Shiu është shumë i ndryshëm këto ditë. Unë punoj me të moshuarit. Ata thonë se kurrë nuk kanë parë stuhi të tilla shiu. Klima është shumë e ndryshme”, thotë Joseilda Borges Amarante, banore Guarujas.

Konferenca e OKB-së për klimën në Egjipt përfundoi të dielën, pas një ditë e gjysmë negociatash jashtë orarit të planifikuar për arritjen e një marrëveshjeje për të krijuar një fond për “humbjet dhe dëmet” e shkaktuara nga ndryshimi i klimës. Fondi ka për qëllim të ndihmojë komunitetet e varfra dhe më të pambrojtura, të cilat po ndeshen me pasojat vdekjeprurëse të ndryshimit të klimës.

Duke marrë parasysh që takimet e para zyrtare për të diskutuar se ku mund të merren paratë dhe si do të shpërndahen ato, është planifikuar të mbahet deri në mars të vitit 2023, marrëveshja nuk ndihmon shumë familjet që tashmë po vuajnë më së shumti pasojat e ndryshimit të klimës.

Ndonëse Konferenca për Klimën nuk u tërhoq nga synimet ndërkombëtare për të kufizuar ngrohjen globale, zyrtarët thonë se pjesëmarrësit nuk shënuan përparim në përpjekjet për arritur më shumë në këtë drejtim.

“Ne duhet të reduktojmë në mënyrë drastike emetimet tani, dhe kjo është një çështje që Konferenca për Klimën nuk e trajtoi. Krijimi i një fondi për kompensimin e humbjeve dhe dëmeve është thelbësor, por nuk do të jetë i mjaftueshëm nëse kriza klimatike e fshinë një shtet të vogël ishull nga harta, ose e kthen një vend afrikan në shkretëtirë”, thotë Antonio Guterres, Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së.

Në Guaruja të Brazilit vendasit thonë se problemi është i trefishtë. Klima po ndryshon me shpejtësi, njerëzit po shkatërrojnë mjedisin dhe nuk kanë para për t’u rikuperuar pas një fatkeqësie.

Vetëm ndryshimi i klimës nuk do të mund të kishte shkaktuar rrëshqitje vdekjeprurëse dheu, thonë ata. Sipas tyre, nëse malet nuk do të ishin zhveshur nga pemët dhe shkurret, kjo mund të mos kishte ndodhur.

“Kjo është ajo që ndodh kur natyra zemërohet me atë që bëjnë njerëzit. Këto janë pasojat e veprimeve të tyre”, thotë Acácio Bezerra da Silva, banor i Guarujas.

“Natyra po revoltohet,” shton ai, pas dekadave të shpyllëzimit dhe neglizhencës që tashmë ka çuar në ngrohjen e tokës në më shumë se 1 gradë Celsius, një prirje që ai shpreson se negociatorët ndërkombëtarë mund ta ngadalësojnë./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: