OKB -ja bëri thirrje për një hetim ndërkombëtar mbi raportet për varreza masive në dy spitale të Gazës të shkatërruar nga rrethimet izraelite, duke thënë se mund të jenë kryer krime lufte.

Zyra e të drejtave të Kombeve të Bashkuara tha se ishte “e tmerruar” nga shkatërrimi i spitalit më të madh të Gazës, Al-Shifa në qytetin e Gazës dhe i dyti më i madh, Kompleksi Mjekësor Nasser në Khan Yunis.

Të hënën, agjencia e mbrojtjes civile e territorit palestinez tha se punonjësit shëndetësorë kishin zbuluar më shumë se 200 trupa njerëzish të vrarë dhe të varrosur në spitalin Nasser, i cili u rrethua nga trupat izraelite muajin e kaluar.

Në fillim të prillit, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se Al-Shifa ishte shkatërruar nga një rrethim izraelit, duke lënë një “godë boshe” që përmban shumë trupa.

Zyra e të drejtave të OKB-së kërkoi ” hetime të pavarura, efektive dhe transparente për vdekjet”.

“Duke pasur parasysh klimën mbizotëruese të mosndëshkimit, kjo duhet të përfshijë hetuesit ndërkombëtarë,” tha në një deklaratë shefi i të drejtave të OKB-së Volker Turk .

Spitalet, të cilat mbrohen nga ligji ndërkombëtar, janë vënë në mënyrë të përsëritur nën bombardimet izraelite gjatë më shumë se gjashtë muajve të luftës në Gaza.

Izraeli ka akuzuar lëvizjen e rezistencës palestineze Hamas për përdorimin e objekteve mjekësore të Gazës si qendra komanduese dhe për të mbajtur pengje të rrëmbyer gjatë sulmit të saj brenda Izraelit më 7 tetor.

Hamasi i ka mohuar këto pretendime.

“Spitalet kanë të drejtën e mbrojtjes shumë të veçantë sipas ligjit ndërkombëtar humanitar ,” vuri në dukje Turk.

“Dhe vrasja me dashje e civilëve , të burgosurve dhe të tjerëve që janë në gjendje lufte është një krim lufte.”

Zyra e të drejtave të OKB-së tha se nuk kishte akses në informacione të pavarura për atë që kishte ndodhur në dy spitale.

Por zëdhënësja Ravina Shamdasani tha se po bëhen përpjekje për të vërtetuar raportet dhe detajet e dhëna nga autoritetet e Gazës.

Këta të fundit thonë se 283 trupa u gjetën nga spitali Nasser , duke përfshirë 42 që ishin identifikuar.

“Viktimat thuhet se ishin varrosur thellë në tokë dhe ishin mbuluar me mbeturina,” u tha ajo gazetarëve në Gjenevë.

Njerëz të moshuar, gra dhe të plagosur raportohet se ishin mes të vdekurve, tha ajo.

Të tjerët dyshohet se ” u gjetën me duart e lidhura dhe të zhveshur nga rrobat”.

Sa i përket Al-Shifa, ushtria izraelite ka thënë se rreth 200 palestinezë u vranë gjatë operacionit të saj ushtarak në spital.

Shamdasani vuri në dukje raportet që tregojnë se kjo shifër “mund të jetë një nënvlerësim”.

Rreth 30 trupa u raportuan të gjetur të varrosur në dy varre në oborrin e spitalit Al-Shifa.

“Dhe ka raportime se disa prej këtyre trupave kanë qenë të lidhur nga duart”, tha Shamdasani.

Deri më tani, tha ajo, OKB-ja “nuk mund të vërtetojë shifrat e sakta” të njerëzve të vrarë në dy spitalet, duke nënvizuar: “Kjo është arsyeja pse ne po theksojmë nevojën për hetime ndërkombëtare”.

“Është e qartë se janë zbuluar trupa të shumtë ,” tha ajo.

Raportet se disave iu kishin lidhur duart tregonin “shkelje serioze” të ligjit ndërkombëtar , shtoi ajo.

“Këto duhet t’i nënshtrohen hetimeve të mëtejshme … Nuk mund të jenë vetëm raporte të tjera në këtë luftë të tmerrshme që kalojnë nën radar.”

 

 (A.A/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb