Policia e Shtetit ka vijuar me kontrollet “blic” për të goditur paligjshmëritë dhe në Shijak ka bërë të mundur arrestimin e një 45-vjeccari në  kuadër të operacionit “Hidden”.

Sipas Bluve, i arrestuari është kapur teksa posedonte një armë zjarri pushkë dhe një sasi municioni luftarak.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak, në vijim të kontrolleve “blic”, të ushtruara në ambiente të ndryshme, me qëllim evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative për një shtetas që mbante armë zjarri pa leje, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Hidden”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:

-A. Q., 45 vjeç, banues në Shijak, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e këtij shtetasi, ku kanë gjetur të fshehur një armë zjarri pushkë dhe një sasi municioni luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb