Arrestohet në Vlorë me qëllim ekstradimi, një tjetër pjesëtar i një grupi kriminal me aktivitet në fushën e narkotikëve, në Spanjë.

Ditën e djeshme, Policia vuri në pranga 30-vjeçarin Xhuljano Hajrulla, pjesëtar i të njëjtit grup kriminal, i cili fshihej në Vlorë.

Seksioni për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, të DVP Vlorë, bazuar në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, për vendndodhjen e një tjetër shtetasi të kërkuar ndërkombëtarisht si pjesëtar i një grupi kriminal me aktivitet kultivimin e bimëve narkotike të llojit marijuanë, në Spanjë, kanë organizuar dhe finalizuar, në bashkëpunim me Interpol Tirana, fazën e dytë të operacionit policor të koduar “Escape”.

Në kuadër të këtij operacioni, u kap në Rrugën Transballkanike dhe u arrestua përkohësisht, shtetasi Ulliam Sokoli, 25 vjeç, banues në Vlorë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Madrid, pasi Gjykata Qendrore e Instruksionit në Spanjë, me vendimin e datës 01.02.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafik narkotikësh”, “Grup kriminal” dhe “Mashtrim në fushën e energjetikës”, parashikuar nga legjislacioni penal spanjoll.

Shtetasi Ulliam Sokoli dhe shtetasi Xhuljano Hajrulla, i cili u arrestua ditën e djeshme nga Policia, në Vlorë, akuzohen si pjesëtarë të të njëjtit grup kriminal në Spanjë, që merret me kultivimin e marijuanës.

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb