Analisti Fatos Lubonja i ftuar në studion e emisionit “Open” në News24 ka folur për garën e 14 majit, ku më konkretisht ka komentuar paraqitjen e opozitës në këto zgjedhje.

Lubonja ka deklaruar se kryeministri Rama ka bërë një “grusht shteti nga lart gradualisht” në vend përmes reformës në drejtësi.

Sipas tij forcat opozitare në vend duhet të rreshtohen së bashku dhe të bëjnë rezistencë kundrejt qeverisjes dhe më pas të kenë diskutime mes tyre.

Ai shtoi se nuk fiton dot askush përballë një regjimi të tillë që ka kapur çdo institucion, gjë me të cilën ka rënë dakord dhe kreu i Nismës Thurje Endrit Shabani i cili tha se vendi është në një regjim hibrid.

Ai tha më tej se nëse Berisha dhe Meta duan të luftojnë regjimin e Ramës le të ketë një bashkim të opozitës, por shtoi se nuk e sheh të arsyeshme që forca e tij të mos ekzistojë në mënyrë që të sjellë në pushtet anën tjetër të opozitës.

Lubonja:

Në Izrael këto ditë Netanyahu donte të bënte një reformë në drejtësi dhe u interpretua nga kundërshtarët e tij. Edi Rama ka bërë një grusht shteti gradual me reformën në drejtësi. Në Izrael u bashkuan të gjithë dhe u ngritën në shesh, jo vetëm opozita për të ndaluar këtë. Ishte një bashkim për të mbrojtur themelet e shtetit.

Teza e baraslarguar është se Berisha dhe Rama janë të dy të këqij. Të baras-larguarit nuk e quajnë regjim situatën. Vetëm se janë Berisha dhe Meta të pabesueshëm nuk fiton opozita, teza ime është se nuk fiton dot askush përballë një regjimi të tillë që ka kapur çdo institucion. Unë nuk kam thënë të rreshtohen me Berishën, por forcat e reja të kalojnë në atë front dhe më pas të diskutojnë me të dhe të vendosin kushte.

Shabani:

Jemi në një regjim hibrid, jam dakord për këtë pjesë. Lubonja në vend t’i thotë Berishës dhe Metës të reformojnë opozitën, na thotë neve të mos ekzistojmë. Ka dy fleta votimi, ne nuk jemi për kryebashkiakun. Ne kërkojmë të japim një alternativë në këshillin bashkiak dhe të luftojmë aq sa mundemi. Nëse Berisha dhe Meta duan të luftojnë regjimin e Ramës le të bëhemi bashkë, por unë nuk e shoh këtë që ne të mos ekzistojmë që të vijë ky në pushtet.

Në regjimet hibride është bashkuar opozita dhe nuk janë rrëzuar Erdogani, Orbani dhe Putini. Në Hungari u bashkua gjithë fronti opozitar dhe prapë fitoi ai me thasë me patate që blinte vota. Sot e kësaj dite Berisha nuk do ta ndryshojë atë që bëri në 2008-ën.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: