Ministri i Shtetit, Taulant Balla, iu përgjigj kërkesës së opozitës për një debat mbi zgjedhjet e 11 majit, duke deklaruar nga foltorja e Kuvendit se ky debat po zhvillohet nga institucionet përgjegjëse për administrimin e procesit zgjedhor.
Ai theksoi se procesi i rinumërimit të votave, i kërkuar nga opozita, nuk pritet të sjellë ndonjë rezultat të ri apo të ndryshojë situatën.
Sipas Ballës, kërkesa për rinumërim është një manovër e demokratëve për të fituar kohë dhe për të zvarritur procesin.
Taulant Balla: Institucionet që administrojnë zgjedhjet janë duke u marrë me procesin. Opozita po shfrytëzon një të drejtë të dakordësuar mes palëve që para 13 vitesh, atë të kërkesës për rinumërim të votave. Megjithatë, nga ky rinumërim nuk pritet të ndryshojë asgjë në rezultatin përfundimtar.
Po shohim raste të izoluara ku ndonjë votë ka kaluar nga një kandidat te tjetri, për shkak të ndonjë gabimi njerëzor të zakonshëm. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në qarkun e Dibrës, ku 20 vota kishin kaluar gabimisht, por që sërish mbeten brenda kufirit të një gabimi teknik të pranueshëm. Në vend që të flasim për eficencë energjie, do të ishte mirë të flisnim edhe për eficencë në kohë. Sepse ky rinumërim, siç po shihet, nuk po sjell ndonjë ndryshim real, përveçse po shërben për ta vonuar qëllimisht procesin.