Ervin Salianji ka reaguar ashpër pas miratimit të Reformës Territoriale në Kuvend, duke kritikuar njëkohësisht kryeministrin Edi Rama dhe drejtimin e opozitës nga Sali Berisha.

Në një reagim të publikuar në Facebook, Salianji e cilëson reformën si një goditje për të ardhmen e vendit, ndërsa akuzon lidershipin opozitar se nuk ka arritur të krijojë një alternativë bindëse dhe të mobilizojë qytetarët kundër qeverisë.

Ai kritikon gjithashtu mënyrën se si opozita është përballur me qeverinë, duke pretenduar se pjesëmarrja në komisione dhe aktivitetet politike nuk kanë sjellë rezultate konkrete për shqiptarët.

Salianji ndalet edhe te thirrja e Sali Berishës për protestë, duke e konsideruar pjesëmarrjen e ulët si një tregues të krizës së besimit ndaj drejtimit aktual të opozitës.

Sipas tij, nuk mjafton që një forcë politike të vetëdeklarohet opozitare, por duhet të bashkojë qytetarët, të krijojë shpresë dhe të ofrojë një alternativë të besueshme për ndryshim.

 

Reagimi:

Rama vazhdon me akte që shkatërrojnë Shqipërinë, Berisha me apo pa vetëdijë po i bëhet krah!
Edi Rama kaloi sot një tjetër akt të masakrimit të territorit, duke i dhënë një goditje të rëndë të ardhmes së Shqipërisë dhe duke thelluar një model që nxit shpopullimin e vendit.
Qeveria e tij është zhytur në skandale të njëpasnjëshme, por çfarë bëri lidershipi i opozitës? E shoqëroi Ramën në çdo qytet, u ul në komisione dhe mori pjesë në procese që nuk prodhuan asnjë rezultat konkret për shqiptarët.
Sot, pas thirrjes së Sali Berishës për protestë, mungesa e pjesëmarrjes ishte një sinjal i fortë i krizës së besimit që ka kapluar lidershipin opozitar. Nuk mjafton të shpallesh opozitë. Duhet të frymëzosh njerëzit, të krijosh shpresë dhe të prodhosh ndryshim!
Edi Rama është e keqja e madhe që po mbyt Shqipërinë. Por një opozitë që nuk mobilizon, nuk bashkon dhe nuk ofron alternativë, nuk mund ta mundë atë. Përkundrazi, dështimet e saj i zgjasin pushtetin.
Opozita nuk mund të vazhdojë të jetë peng i një lidershipi që kalon nga katastrofa në katastrofë, ndërsa vendi humbet dinjitetin, njerëzit dhe të ardhmen.
Shqipëria ka nevojë për një opozitë të bashkuar, të besueshme dhe fituese. Për këtë duhet të hapet rruga e ndryshimit, e riorganizimit dhe e një lidershipi që frymëzon shqiptarët.
Nëse ju ka mbetur sadopak ndërgjegje politike dhe nëse interesi publik është mbi karrigen tuaj, bëni aktin e fundit të përgjegjësisë:
JEPINI DORËHEQJEN!
Shqipëria nuk mund të presë më. As opozita nuk mund të vazhdojë të dështojë!

Reagimi vjen pas miratimit të Reformës Territoriale me 85 vota pro në Kuvend, e cila parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46, dhe sjell në vëmendje përplasjet brenda opozitës lidhur me strategjinë politike dhe drejtimin e saj.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb