Kryeministri Edi Rama iu kundërpërgjigj debateve për ndryshimet ligjore në sektorin e porteve turistike, duke i cilësuar kritikat e opozitës si “një specie unike” që, sipas tij, synon të deformojë realitetin.

Gjatë deklaratës së tij, Rama sqaroi se nuk ka pasur ndryshime thelbësore në ligjin për portet turistike, por vetëm një ndërhyrje teknike për të shmangur situata që ai i cilësoi si “pasoja absurde” në zbatimin e tij. Sipas kryeministrit, në këto raste nuk ka nevojë për gara të reja, pasi investitori është vetë pronar i projektit dhe detyrohet të respektojë rregullat dhe pagesat përkatëse.

Rama theksoi se synimi është shmangia e konflikteve procedurale dhe vonesave që, sipas tij, do të bllokonin projektet turistike. Në vijim, ai foli edhe për ligjin e investimeve strategjike, duke deklaruar se procesi i rishikimit të tij është në vazhdim dhe se synohet shmangia e boshllëqeve ligjore. Kryeministri kritikoi gjithashtu opozitën, duke pretenduar se qëndrimet e saj synojnë të krijojnë perceptime negative për Shqipërinë në procesin e integrimit evropian.

“Nuk kemi bërë ndryshime ligjore për portet turistike. Kemi bërë një ndryshim të vetëm për të hequr mundësinë e një pasoje absurde. Ndryshimi nuk lidhet me portet turistike, me garat zero. Nëse shteti shqiptar do të japë një koncesion apo partnerit për të ndërtuar port turistik do të bëhet vetëm me garë. Ndrysemi që kemi bërë lidhet me rastet vetëm kur dikush investon për një resorit turistik dhe do të bëjë një marinë. Për ligjin e pandryshuar, për marinën që dikush do të bëjë pranë resortit të tij, duhet garë që të vijë një tjetër dhe të fillojë një sherr e mos të mbarojë kurrë. Ne na shkaktoi se nuk kishim bërë diferencën mes një rasti kur ndërtohet port turistik dhe rasteve kur vetë investitorët që kanë zotërimin e pronësisë mbi atë territor duan të bëjnë një marinë. Si në të gjithë planetin, duhet ta bëjnë duke paguar detyrimin përkatës, duke paguar vetë. Ky është ndryshimi i madh. S’ka asnjë ndryshim, përveç harbimit të tyre që duan ta shohin Shqipërinë si asnjëherë të bllokuar. Këtë ma thonë dhe miqtë e mi. S’kemi parë të vijë ndonjë forcë që ka negociuar me BE apo është në proces për t’iu hapur negociatat dhe të thotë gjithë çfarë lloj të zezash që të bllokohet procesi. Ne nuk vijmë nga një vend me probleme etike, apo fetare apo ideologjike as nga luftë civile. Nuk i ka parë kush as serbët e Malit të Zi apo vende të tjera që të kërkojnë që vendi të futet në listën e zezë. Këto vende kanë pasur probleme të ngjashme me tonat? Po patjetër! Ne kemi një lloj specie këtu që është unike, që s’e ka pasur asnjë vend i kontinentit ku jemi, në këtë proces. Kjo është e gjitha. Për ligjin e investitorëve strategjike kemi në proces të gjithë transformimin e ligjin Ligji është shtyrë për mos të lënë vakum me ligjin e vjetër. Nuk ishte shpikje e jona, por e kanë bërë dhe vendet e tjera.”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb