HUNGARI

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka zbardhur temat e diskutimit me homologun e tij shqiptar, Edi Rama, i cili ndodhet në vizitë zyrtare në Hungari.

Në një prononcim për mediat, kryeministri Orban ka treguar të gjithë diskutimet që kanë bërë së bashku, ku në fokus, ka qenë integrimi i Shqipërisë në BE.

Orban nënvizoi se Hungaria mbështet plotësisht anëtarësimin e Shqipërisë në familjen e madhe Evropiane, duke shtuar se kjo është në interesin e të gjitha palëve.

“Dua t’ju prezantoj kryeministrin e Shqipërisë, një mik të madh të Hungarisë. Ai ka fituar tre herë radhazi zgjedhjet, kjo është gjë e madhe, në një vend si ajo e Shqipërisë me demokraci të gjallë, që ka një luftë të madhe politike. Çështjet që kemi diskutuar sot është bashkëpunimi politik mes dy vendeve, po i afrohemi 100 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, duam ta festojmë bukur.

Nuk ka dallime madhore midis dy vendeve, më e rëndësishme është anëtarësimi i Shqipërisë në BE. Hungaria është mbështetëse dhe e angazhuar që Shqipëria të bëhet pjesë e BE, kjo jo vetëm që promovohet nga simpatia jonë, por edhe interesi ynë.

Pa vendosur anëtarësim për këtë pjesë të Evropës, nuk kemi stabilitet. Më pas negociuam për çështjet ekonomike, jemi mjaft të lumtur që jemi në gjendje të gjejmë projektin kryesor e cila është banka OTP, e cila u mirëprit nga Shqipëria.

Kemi investimin e madh në Shqipëri. Do të doja të theksoja edhe njëherë që Hungaria është plotësisht e përkushtuar ndaj Shqipërisë për të arritur anëtarësimin në BE”, tha Orban.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb