Partia Demokratike i kërkoi sot organeve të drejtësisë të nisin hetimet për atë që e quan vjedhje me rrugën Lekaj-Fier.

Shefi i Organizimit në PD Klevis Balliu tha sot se janë 320 milionë euro vjedhje me rrugën Lekaj-Fier, 50% më shtrenjtë se sa është vlerësuar në studimin e fizibilitetit.

Balliu theksoi se në total, deri tani bëhet fjalë për 90 km rrugë dhe 837 milionë euro.

Deklaratë e Shefit të Organizimit, Klevis Balliu
Vjedhjet e çarter-qeverisë nuk kanë të ndaluar.

Abuzimit ekzistues me dy segmente të autostradës Milot-Fier, për të cilën janë akorduar 837 milion euro, sikur të mos mjaftonin, i shtohen edhe një treqindëshe tjetër.

Kështu segmenti Lekaj -Fier do të rifinancohet me një kosto shtesë prej 320 milion euro.

Në total, të paktën deri tani- sepse nuk mund të përjashtohen që gjatë rrugës kosto të ‘rilindin’, bëhet fjalë për 90 km rrugë dhe 837 milion euro.

Duhet të theksojmë se të dy segmentet e kësaj rruge, të dhëna me koncesion, janë të paktën 40-50% më të shtrenjta se sa është vlerësuar në studimin e fizibilitetit.

Nuk janë këto kostot e vetme për qytetarët shqiptarë, të cilëve 1 km rrugë në fushë u kushton 3-4 fish më shumë se në një vend të BE.

Pas përfundimit të Milot-Fier kjo rrugë do të jetë me pagesë, ashtu si dhe Rruga e Kombit. Kësisoj qytetarëve shqiptarë u duhet të paguajnë tri herë për të njëjtën rrugë: për kostot e saj, vjedhjet e qeverisë dhe pastaj për të udhëtuar në të.

Këto janë rrugët pa krye të Edi Ramës që kthehen në humnera financiare për takspaguesit shqiptarë.

Partia Demokratike u kërkon organeve të drejtësisë të nisin hetimet për këtë abuzim të ri, i cili, pikërisht se ka precedentë, duke mos qenë i pari, e bën edhe më të rëndë dhe fyese shkeljen.

I kuptojmë opinionit publik se ne jemi forca politike qeveria e së cilës ndërtoi Rrugën e Kombit, mes maleve më të ashpra të Ballkanit, me dyfishin e gjatësisë së Milot-Fier, dhe të njëjtat kosto.

Ky është standardi ynë. Me qeveri që kanë vjedhjen të vetmin standard, Shqipëria është në rrezik.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb