Organizata Botërore e Tregtisë (OBT) nxori të martën një vendim ku Kanali Sportiv Saudit “BeoutQ” cilësohet si kanal pirat që shkel të drejtat e pronësisë intelektuale. Nga gjetjet e vendimit del se Mbretëria e Arabisë Saudite ka refuzuar të ndërmarrë veprime kundër këtij kanali televiziv, dhe në vend të kësaj ka promovuar në mënyrë aktive piraterinë. Ky vendim u përshëndet nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë së Katarit.

Vendimi i OBT-së konkludoi se Mbretëria e Arabisë Saudite ka shkelur detyrimet e saj në bazë të Marrëveshjes mbi Aspektet e të Drejtave të Pronësisë Intelektuale të Lidhura me Tregtinë (Marrëveshja TRIPS). Ajo ka refuzuar të ndërmarrë veprime kundër transmetimeve të sofistikuara piraterike nga kanali “beoutQ” me bazë saudite.
Paneli i Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve të OBT-së i bëri thirrje Arabisë Saudite të ndalojë abuzimet me të drejtat pronësisë intelektuale dhe të korrigjojë masat e saj në përputhje me ligjin e OBT-së.

Kjo është hera e parë në historinë shtatëdhjetë e tre vjeçare të OBT-së dhe paraardhësit të saj (GATT), ku paneli i refuzon të paditurit orvatjen që të kërkojë si mbrojtje përjashtimin e sigurisë kombëtare.

Paneli i OBT-së zbuloi se dështimi i Arabisë Saudite në marrjen e veprimeve kundër “beoutQ” ishte i shkëputur nga çdo lloj interesi të ligjshëm sigurie, aq sa nuk mund të përmbushte as “kërkesën minimale të besueshmërisë në lidhje me interesat esenciale të sigurisë”.
Ky vendim vjen pasi Shteti i Katarit ngriti një ankesë zyrtare kundër Mbretërisë së Arabisë Saudite, përmes Organit të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve të Organizatës Botërore të Tregtisë.

Në reagimin e tij rreth raportit të OBT-së, Ministri Katarian i Tregtisë dhe Industrisë, Ali bin Ahmed Al Kuwari tha se “Katari dhe mbajtësit e të drejtave ndërkombëtare, kanë shënuar sot një fitore të jashtëzakonshme. Presim prej Arabisë Saudite, aq më tepër që ajo do të mbajë takimin e ardhshëm të G20-tës, të respektojë aktvendimin përfundimtar dhe t’i japë fund menjëherë vjedhjes dhe piraterisë së të drejtave të pronësisë intelektuale”.

“Vendimi i OBT-së respektohet nisur nga zhvillimi i një procedure të drejtë, transparente dhe në kohë kundër shkelësve, me qëllim ndalimin e abuzimeve sa më parë” – tha ai.
Në raportin e tij, Paneli i OBT-së arriti në përfundimin se “beoutQ” ka pirateruar përmbajtje mediatike me të drejta autori të kompanisë katariane “beIN Media Group LLP” në Arabinë Saudite dhe më gjerë, përfshirë dhe shitjen e dekoderave dhe abonimeve “beoutQ” në shumë pika shitjeje me pakicë në Arabinë Saudite.

Raporti thekson se përveç piraterimit të licensave sportive të “beIN”, dekoderat e “beoutQ” u lejojnë përdoruesve akses të pirateruar në mijëra filma, shfaqje TV dhe kanale televizive nga e gjithë bota. Transmetimet e piratuara janë kryer përmes frekuencave satelitore Arabsat me bazë në Arabinë Saudite dhe nga kompania saudite “Arabia Selevision Company LLC” që ka lejuar ose ndihmuar “BeoutQ” të transmetojë përmbajtje të piratuar në Arabsat.

Gjithashtu, raporti nënvizon mangësitë e thella dhe thelbësore në angazhimin e Arabisë Saudite për të garantuar procedura zbatimi në përputhje me Marrëveshjen TRIPS, pasi nuk ka pranuar të ndërmarrë ndonjë veprim efektiv kundër “beoutQ”, pavarësisht se dijenisë së plotë për “një sërë provash bindëse se beoutQ operohet nga individë apo subjekte që i nënshtrohen juridiksionit penal të Arabisë Saudite”.

Arabia Saudite ka kufizuar, ose ndryshe frustruar, aftësinë e “beIN” (dhe licencuesit e tij) për të ndjekur veprime civile kundër shkeljes së të drejtave të pronësisë intelektuale të tyre. Autoritetet e qeverisë saudite janë angazhuar të promovojnë mbledhjet publike ku shfaqen transmetimet e paautorizuara të “beoutQ”, përfshirë dhe Botërorin e Futbollit 2018 – thekson raporti.

Në analizën e Panelit, tregohet se duke lejuar që vjedhja dhe pirateria e beoutQ të përhapet e pakontrolluar për disa vite, Arabia Saudite ka shkelur në mënyrë aktive detyrimet e saj ndaj Marrëveshjes TRIPS për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale të qytetarëve katarianë apo dhe të mbajtësve të të drejtave sportive dhe intelektuale të partnerëve të tjerë tregtarë nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar. Kjo pavarësisht ankesave të paraqitura nga shumë qeveri në mbarë botën, si dhe nga disa liga dhe media sportive të mirënjohura në tërë globin.

Edhe pse vendimi i OBT-së përqendrohej në shkeljet e pronësisë intelektuale, gjetjet e Panelit nxorën në pah gjithashtu shkeljet e të Drejtave të Njeriut nga Arabia Saudite kundrejt qytetarëve katarianë.

Paneli gjeti se Arabia Saudite “ka dëbuar rezidentët dhe vizitorët katarianë nga territoret saudite” vetëm me dy javë njoftim – për asnjë arsye tjetër veçse ishin nga Katari – si dhe ka vendosur kufizime që pengonin katarianët të udhëtojnë ose kalojnë nëpërmjet territorit saudit.

Për më tepër, Paneli theksoi se këto masa diskriminuese ishin të mandatuara nga qeveria Saudite. “Ekzistojnë masa të përgjithshme që nxisnin direkt ose indirekt një klimë antipatie kundër Katarit dhe shtetasve katarianë” – vëren raporti.

Gjatë seancës, disa anëtarë të OBT-së ndërhynë para Panelit si palë të treta, duke mbështetur pozicionin e Katarit.
Në këtë kuadër, Bashkimi Evropian theksoi se në përputhje me detyrimet e OBT-së “Procedurat penale dhe dënimet nuk duhet të garantohen vetëm në letër, por duhet të jenë efektive dhe në praktikë”.

Brazili dhe Bashkimi Evropian vunë në dukje dëmet që iu janë bërë nga ky piraterim qytetarëve të tyre mbajtës së të drejtave të pronësisë intelektuale. Po ashtu Brazili, Kanadaja, Bashkimi Evropian, Japonia, Rusia, Singapori dhe Ukraina këmbëngulën që pretendimet e Arabisë Saudite për mbrojtjen e sigurisë kombëtare të mos kalojnë pa një shqyrtim gjyqësor.

Raporti i Panelit bazohet në prova të gjera të paraqitura nga Katari gjatë procesit të parashtrimeve të shumta me shkrim dhe dy procedurave verbale, parvarësisht angazhimit intensiv të Arabisë Saudite në këtë proces.

Ndërkohë, Katari ka nisur të tjera procedura ligjore pranë OBT-së dhe gjykatave ndërkombëtare në lidhje me veprimet e paligjshme të ndërmarra që prej qershorit të 2017 nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Egjipti.

Katari vazhdon të ndjekë rrugën e drejtësisë përmes akteve ligjore, duke respektuar detyrimet e tij ndaj ligjit ndërkombëtar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb