Sekretari për çështjet ligjore në Partinë Demokratike Ivi Kaso, në një deklaratë nga selia blu, ka njoftuar se gjyqtari Andri Ymeri ka paditur në SPAK tre anëtarë të KPK.

Ai ka sqaruar se padia flet qartë për mungesën e seriozitetit, profesionalizmit si dhe politizimin ekstrem të trupës që përcakton se kush do të jenë gjyqtarët dhe prokurorët e vendit.

Deklarata e plotë:

Gjyqtari Andri Ymeri ka paditur në SPAK tre anëtarë të KPK, Komsioni i Pavarur i Kualifikimit, sic njihet ndryshe, Vetingu. Në një ankimim serioz, padia flet qartë për mungesën e seriozitetit, profesionalizmit por edhe politizimit ekstrem, të trupës që përcakton se kush do të jenë gjyqtarët dhe prokurorët e Republikës.

Gjyqtari liston një radhë shkeljesh që flasin jo vetëm për arbitraritet politik, por edhe abuzivitet dhe shkelje të ligjit. Të gjitha këto ngrenë pyetjen e madhe: kush i cakton dhe kush i veton vetuesit?

Padia e Ymerit duhet të mobilizojë antenat e ndërgjegjes të opinionit publik, të medias dhe të faktorëve që janë përfshirë në dirigjimin e së ashtuquajturës reformë në drejtësi. Në formën që paraqitet në padinë e gjyqtarit, nuk kemi të bëjmë me reformë bazuar në kritere ligjore dhe profesionale, por në gjueti partiake dhe krahinore shtrigash.

Partia Demokratike ngre edhe njëherë alarmin për problemet strukturore të reformës në drejtësi, për anshmërinë e hapur të trupës së vetingut, e tillë sa mund të konsiderohet partishmëri e saj.

Shkelja kryesore që konstaton avokati i gjyqtarit Ymeri në padinë e bërë në SPAK kundër Komisonit të Vetingut ka të bëjë me paracaktimin e atyre që kalojnë ose dështojnë në procesin e vetingut.

Në rastin e tij Komisonerët e kanë bërë të qartë se e kishin marrë vendimin paraprakisht, duke i njoftuar subjektit se pretendimet e tij mund t’i paraqiste në akimin që mund të bënte më vonë.

Thekson avokati: Ky qëndrim i komisioneres Pamela Qirko është veprim kriminal, pasi ajo, pa dëgjuar subjektin, kishte vendosur ta shkarkonte atë, duke thënë se klienti im, duhet të bëjë ankim, kur ndërkohë sapo kishte filluar seanca dëgjimore.

Kjo do të thotë se seancat janë për fasadë dhe se Pamela e KPK, nuk është asgjë më shumë se figurante në Bayëatch-in e Edi Ramës dhe Reformës së Sorosit.

Avokati i gjyqtarit Ymeri padit edhe për shkelje të tjera të Komisionereve:

–  Pamela Qirko e ushtron detyrën e Komsioneres në shkelje të hapur të ligjit duke mos plotësuar kriterin e notës mesatare

-Pamela Qirko jo vetëm që nuk e ka mesataren që kërkohet sipas ligjit për këtë detyrë, por ka falsifikuar notën mesatare.

– Genta Tafa është zgjedhur në kundërshtim me ligjin procedurial dhe material dhe në shkelje të ligjit procedural:

– Sipas informacioneve jozyrtare Genta Tafa Bungo ka dy masa disiplinore në fuqi të padeklaruara sipas ligjit në fuqi;

– Ajo nuk ka provuar vjetërsinë në punë prej 15 vjetësh

– Ka falsifikuar formularin standard që dorëzohet te Avokati i Popullit

-Firdes Shuli ka konsumuar të gjithë elementët e veprës penale të “moskallëzimit të krimit”;

-për 5 vjet punë si gjyqtare ajo ka marrë 3 masa disiplinore, atë të pezullimit, masë displinore të shkarkimit nga kryetare gjykate dhe të transferimit në gjykatë më të ulët.

-ka falsifikuar formularin standard që dorëzohet te Avokati i Popullit

Seria e shkeljeve të hapura ligjore, administrative dhe etike, i bën anëtaret e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të duken si Telma dhe Luisa, jo si zonjat e drejtësisë që do të vendosin se kush ka integritet, dhe kush jo.

Qartësisht, Komisioni në fjalë dhe Reforma në drejtësi, po çelin fryte të prishura që kalbin të gjithë sistemin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: