TIRANE- Në tryezat e përbashkëta mes qeverisë dhe përfaqësuesve të punëdhënësve po diskutohet për ndryshimin e mundshëm të pagës minimale për efekt të kontributeve të sigurimeve shoqërore, e cila aktualisht është 22,000 lekë.

Burime zyrtare pranë Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë bëjnë të ditur se kjo çështje është disktuar në disa tryeza të përbëshkëta, por nuk ka ende një propozim konkret, për të cilin mund t’i referohet më pas edhe Ministrisë së Financave. Ndryshimi i pagës minimale vlerësohet si një çështje delikate që ka ndikim në tregun e punës, duke qenë se Shqipëria e konsideron nivelin e saj të ulët si një avantazh për tërheqjen e investimeve të huaja, kryesisht në sektorë si fasoni.

Për ministrinë kjo është një çështje për të cilën do të merret mendimi i biznesit, për ta ndryshuar ose jo. Luan Bregasi, përfaqësuesi i punëdhënësve në Këshillin Kombëtar të Punës tha për “Monitor.al” se është diskutuar në lidhje me ndryshimin e pagës minimale për efekt të kontributeve shoqërore, por pa u ndalur në një shifër konkrete. Sipas tij kjo është ngritur nga ana e Biznes Albania, më shumë në kuadrin e ndikimit social dhe jo si argument fiskal që mund të ndikojë në avantazhet konkurruese të forcës së punës.

Deri në 31 korrik 2014, si pagë minimale për efekt të sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore ka shërbyer paga prej
19,026 lekë në muaj, më pas ( në 1 gusht të po atij viti) ajo u rrit në 19,406 lekë në muaj.

Ndërsa që nga 1 janar i vitit 2015, paga minimale për efekt kontributesh u barazua me pagën minimale mujore në shkallë vendi, duke u bërë 22,000 lekë ( nivel që zbatohet edhe sot).

Shqipëria aplikon një pagë minimale mujore më të ulët se vendet e tjera të rajonit, me përjashtim të Kosovës e cila e bazon mbi moshën e të punësuarit. /Monitor/

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: