Ish-Ministri i Infrastrukturës, aktualisht deputet i Kuvendit të Kosovës, Pal Lekaj, është dënuar sot me 3 vjet e tetë muaj burgim efektiv për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe dëmtim me dashje të buxhetit të shtetit.

Dënimi i është shqiptuar lidhur me pagesën prej 53 milionë eurove që Qeveria e Kosovës i kishte paguar “Bechtel-Enkës” për zgjatjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën ‘Arbën Xhaferi’. Atij i është shqiptuar edhe dënim plotësues, që i ndalon ushtrimin e funksionit në administratë për 3 vjet e gjashtë muaj.

“I akuzuari P.L është shpallë fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej tre (3) vite e tetë (8), muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet deri sa aktgjykimi të bëhet i formës së prerë si dhe i është caktuar dënim plotësues ashtu që të pandehurit P.L i ndalohet për tre (3) vite e gjashtë (6) muaj ushtrimi i funksionit në administratë publike apo funksioneve në shërbime publike, pas mbajtjes së dënimit me burgim”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Mbrojtja e Lekajt e ka quajtur skandaloz vendimin e Gjykatës. Avokati Musa Damati ka thënë se do ta apelojnë këtë vendim në Gjykatën e Shkallës së Dytë.

“Për arsye se provat gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor kanë qenë të panumërta në drejtim të sqarimit të kronologjisë dhe implikimeve buxhetore që ka pasur ky projekt kapital për vendin… ne si mbrojtje nuk mund ta konsiderojmë ndryshe vendimin e Shkallës së Parë veçse skandaloz dhe bindja jonë është se do të pasojë ndryshime në favorin e klientit tonë”, ka deklaruar Damati.

Pasi iu shqiptua dënimi Lekaj reagoi duke paralajmëruar se do të ankohet ndërsa u kërkoi kundërshtarëve politike që të mos gëzohen para kohe.

“Në historinë e gjykimeve në Kosovë, ka pasur mijëra raste të gjykimeve të padrejta e të pabazuara, siç ishte edhe vendimi i sotëm i Gjykatës Themelore ndaj meje. E njoftoj opinionin e gjerë publik se asnjëherë nuk i kam tejkaluar kompetencat e mia e nuk e kam keqpërdorur pozitën e ministrit, kjo as në rastin e Autostradës “Arbën Xhaferi” ka thënë ai.

“Natyrisht, unë do ta ankimoj vendimin në Apel dhe jam i bindur se vendimi i sotëm do të shpallet NUL. Kundërshtarëve te mi politikë u them të mos gëzohen para kohe, sepse e drejta që do të dalë në shesh shumë shpejt do t’i zhgënjejë. I bindur në pafaësinë time dhe në drejtësi” ka shtuar Lekaj.

Bashkë me Lekajn janë dënuar edhe tre ish-zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës. Ish-Sekretari i Ministrisë, Nebih Shatri është dënuar me një vit e tetë muaj burgim, ish-Shefi i Prokurimit, Besim Tahiri me një vit e tetë muaj burgim, derisa ish-këshilltari i Lekajt, Eset Berisha është dënuar me tri vjet e tre muaj burgim.

Të katër ish-zyrtarët dënuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe dëmtim të qëllimshëm të buxhetit të shtetit.

Për çfarë i akuzonte Prokuroria Speciale?

Aktakuza ndaj Lekajt dhe të tjerëve ishte ngritur më 4 shkurt të vitit 2022, nga Prokuroria Speciale.  Sipas aktakuzës, Pal Lekaj, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri me dashje i kanë tejkaluar kompetencat e tyre dhe nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare me datë 29 shtator të vitit 2017.

Sipas prokurorisë, keqpërdorimi ka ndodhur në momentin kur të lartcekurit kanë nënshkruar marrëveshjen për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve për 347 ditë të tjera, për autostradën “Arbën Xhaferi” apo e njohur si R6.

Në aktin akuzues që kishte publikuar “Betimi për Drejtësi” thuhet se të njëjtit, në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik 04/ L- 042, Statutin dhe Kodin e Sjelljes së KDNM-së dhe me kushtet e kontratës së 1 korrikut 2014, kanë nënshkruar marrëveshje në emër të MI-së si punëdhënës në njërën anë dhe ndërmarrjes së përbashkët “Bechtel & Enka” si kontraktor në anën tjetër, për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve edhe për 347 ditë dhe atë nga 18 janari 2018 siç ishte e përcaktuar në kontratën bazë, deri më 31 dhjetor 2018, duke mos e përcaktuar koston financiare.

Ky veprim, sipas prokurorisë i ka lënë hapur mundësinë OE “Bechtel & Enka” që më 27 nëntor 2017 të paraqes pranë punëdhënësit kërkesën për pagesën e shumës shtesë në vlerë prej 63 milionë euro, në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve, e cila kërkesë më pas ka zbritur në vlerën prej 53 milionë e 100 mijë euro.

Tutje thuhet se si pasojë e këtyre veprimeve të të pandehurve, e njëjta është aprovuar për pagesë nga Qeveria e Kosovës, shumë kjo e cila është në kundërshtim të plotë me opinionin e mbikëqyrësit të kontratës “Hill Internacional”,  me ç’rast, si pasojë e veprimeve të të pandehurve, buxhetit të Kosovës, i është shkaktuar dëm në vlerë prej 38 milionë e 321 mijë e 346 euro.

Në pikën e dytë të aktakuzës thuhet se në vazhdimësi nga 27 shtatori 2017 e deri më 5 qershor 2018, në Prishtinë në cilësinë e personave zyrtarë, Lekaj dhe këshilltari i lartë politik i tij, Eset Berisha me dashje dhe në bashkëveprim me njëri-tjetrin, duke i shfrytëzuar pozitat zyrtare, me rastin e zbatimit të projektit “Autostrada Prishtinë – Hani i Elezit R6 “, kanë vepruar në kundërshtim të plotë me rregullat e përcaktuara me Ligjin për Prokurimin Publik, Rregulloren nr.02/2011 të Qeverisë së RKS-së si dhe Statutin dhe Kodin e Sjelljes së Komitetit Drejtues Ndërministror.

Siç thuhet në aktakuzë, Lekaj, pas nënshkrimit të marrëveshjes me OE “Bechtel & Enka” si në pikën e parë të dispozitivit të aktakuzës, në cilësinë e kryesuesit të KDMN-së, pa e informuar dhe pa e marrë pëlqimin e anëtarëve të tjerë, e ka angazhuar Berishën në cilësinë e këshilltarit të tij politik, që të marrë pjesë në negociata me “Bechtel & Enka”, me qëllim të përcaktimit të kostos financiare sipas marrëveshjes së 27 shtatorit 2017,  detyra këto jashtë fushëveprimit dhe kompetencave të cilat i ka këshilltari politik.

Tutje në aktakuzë thuhet se Berisha ka zhvilluar biseda me përfaqësuesit e “Bechtel & Enka” dhe në pajtim të plotë me Lekajn, janë dakorduar qe në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve deri më 31 dhjetor 2018, MI t’i paguajë operatorit ekonomik kosto financiare shtesë në vlerë prej 45 milionë euro, e cila shumë me shpenzimet e TVSH-së prej 18% arrin shumën prej 53 milionë e 100 mijë euro.

PSRK pretendon se me qëllim të realizimit të planit të tyre, Lekaj dhe Berisha, në tërësi kanë injoruar anëtarët e KDNM-së dhe Njësinë për Implementimin e Projektit, organe këto të cilat sipas Statutit kanë pasur autorizime të zhvillojnë biseda dhe të marrin vendime për të gjitha çështjet që ndërlidhen me realizimin e  këtij projekti, e për më tepër edhe për çështjen e zhvillimit të bisedimeve dhe përcaktimin e kostos për zgjatet e afatit të përfundimit.

Gjithashtu në aktakuzë thuhet se Lekaj me ndihmën e Berishës, në drejtim të realizimit të qëllimit, ka injoruar në tërësi opinionin e kompanisë mbikëqyrëse të projektit “Hill International”, sipas të cilit opinion shuma reale dhe e lejuar për shtyrje të afatit të përfundimit të punimeve është 14 milionë e 778 mijë e 654 euro e 87 centë, pikërisht siç ishte paraqitur në pikën A të kërkesës së “Bechtel & Enka”, për dallim nga pika B dhe C e kërkesës për kosto financiare shtesë, të cilat janë totalisht të paarsyetuara dhe të papranueshme.

Për më tepër, sipas prokurorisë injorimi i opinioneve të kompanisë mbikëqyrëse “Hill International” vjen në pah edhe atëherë kur vet i pandehuri Lekaj këtë opinion fare nuk e ka prezantuar në takimet e KDNM-së, të mbajtura për këtë qëllim.

Madje në aktin akuzues thuhet se Berisha, më 1 qershor 2018 në kundërshtim të plotë me përgjegjësitë dhe detyrat e tij e në bashkëpunim të plotë me Lekaj, i kanë bërë presion drejtorit të Departamentit Ligjor të MI-së, Avdi Kamerolli, duke i kërkuar ndryshim të opinionit ligjor paraprak, në të cilin opinion rreth kërkesës për kosto financiare, përveç tjerash është konstatuar se: “Opinione sqaruese të tjera konsideroj se mund të japin personat përgjegjës për menaxhimin e kontratës dhe kompania mbikëqyrëse “Hill International” si përfaqësues i punëdhënësit dhe Departamenti i Prokurimit Publik si nënshkrues i kontratës”.

Ashtu që thuhet se më pas Kamerolli nën presion është detyruar ta ndryshojë versionin origjinal të opinionit të parë, me ç’rast  ka hartuar versionin e ri duke e hequr kompaninë “International Hill” dhe duke lënë si palë kompetente për opinionet shtesë vetëm Departamentin e Prokurimit, veprime këto që i kanë paraprirë ekzekutimit të pagesës për zgjatjen e afatit të përfundimit të punimeve.

Tutje në aktin akuzues thuhet se këto veprime të të pandehurve, i kanë shtyrë anëtarët e KDNM-së të cilët të gjendur para një situate të tillë para fakteve të rrejshme, në takimin e 5 qershorit 2018 të marrin vendim duke i rekomanduar Qeverisë që të aprovojë kërkesën e “Bechtel & Enka” për pagesën e shumës prej 53 milionë e 100 mijë euro në emër të shtyrjes së afatit të përfundimit të punimeve.

Në fund të aktakuzës thuhet se bazuar në faktin se kompania mbikëqyrëse “Hill International” ka dhënë opinionin se vlera prej 14 milionë e 778 mijë e 654 euro e 87 centë, është vlerë reale dhe e vetmja që duhet t’i paguhet OE “Bechtel-Enka” në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve për projektin në fjalë, me të cilin vlerësim është pajtuar edhe “Bechtel&Enka”, si dhe duke iu referuar diferencës me shumën prej 53 milionë e 100 mijë euro të aprovuara për pagesë, rrjedh se si pasojë e veprimeve inkriminuese të të pandehurve, buxhetit të RKS-së i është shkaktuar dëm në shkallë të madhe në vlerë prej 38 milionë e 321 mijë e 346 euro.

Me këto veprime, të përshkruara në pikën një dhe dy të aktakuzës, PSRK të pandehurit i ngarkon se në bashkëkryerje kanë kryer  veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: