Kryeministri Edi Rama ka folur për ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale, duke u ndalur te rregullat për sekuestrimin dhe kontrollin e pajisjeve elektronike, përgjimet dhe përdorimin e të dhënave të mbledhura gjatë hetimeve.
Rama tha se policia dhe prokuroria mund të sekuestrojnë një pajisje, por për hapjen dhe kontrollin e saj duhet të ketë autorizim nga gjykata. Sipas tij, edhe në rastet e urgjencës, veprimi duhet të jetë i përcaktuar dhe i kontrolluar nga gjykata, ndërsa të dhënat e marra pa autorizimin përkatës nuk mund të përdoren.
Ai u shpreh gjithashtu se e njëjta logjikë do të zbatohet edhe për përgjimet, ndërsa në procesverbal do të përfshihen vetëm bisedat që kanë lidhje me hetimin, përfshirë edhe ato që janë në favor të personit nën hetim.
Rama theksoi se të dhënat që i përkasin jetës private të personave që nuk kanë lidhje me veprën penale nuk duhet të përdoren si mjet presioni apo për publikim në media.
“Marrja në pyetje dhe veprimet kryesore do të regjistrohen me zë dhe figurë. Nëse shteti merr në pyetje një njeri duhet të tregojë si e ka marrë dhe sa e ka respektuar. Dhe shkruhet se deklarimet e marra me sjellje me presion apo dhunë nuk vlen. Ndryshimi i 4 vjen si domosdoshmëri për të mbrojtur jetën private në epokën teknologjike. Sekuestrimi i pajisjes nuk mund të jetë më në asnjë mënyrë për të parë dhe lexuar apo parë gjithçka. Për ata hapur duhet vendim i gjykatës…Në rast të urgjencës të përcaktuara nga ligji, veprimi vlerësohet nga gjykata. Çdo material i nxjerrë që nuk ka lidhje me hetimin duhet të asgjësohet. E njëjta gjë në lidhje me përgjimet, duhet të shikohet vetëm ato që kanë lidhje me hetimet. Jeta private e njerëzve pa lidhje me veprën penale, nuk mund të përdoret si instrument presioni apo për ushqim për mediat. Personi ka të drejtë të dijë se ndaj tij është regjistruar një procedim. Hetimet e fshehura në kohë nuk mund të jenë një rutinë në një shtet të së drejtës. Në gjyq do të shkojnë çështje që kanë perspektivë reale. Prokurori duhet të peshojë provat e akuzat dhe mbrojtjen. Ndryshimi i gjashtë ka rëndësi sepse nxjerr prezumin e pafajësisë jashtë sallës së gjyqit. Gjyqi në Pazar përpara gjyqit në sallë nuk është drejtësi.”, tha ai.
