Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj deklaroi se zbatimi i reformës në drejtësi është një etapë e re për vendin.

Teksa u ndal tek paketa “Anti-KÇK” dhe aksionet e Operacionit të Forcës së Ligjit, Lleshaj theksoi se synohet që të shterohen financat kriminale.

“Operacioni forca e ligjit synon goditjen e krimit. Shterimin e aseteve kriminale, shkatërrimin e biznesit kriminale. Këo janë objektivat e kësaj përpjekje. Rezultat sot do të jenë dhe kriteri i gjykimit publik mbi këtë operacion. Ne nuk do të presim fundin e tij për të gjykuar, por do shohim çdo hap.”, tha Lleshaj.

DEKLARATA E LLESHAJT
Së pari më lejoni të shpreh kënaqësinë e veçantë për finalizimin e këtij projekti shumë të rëndësishëm. Dua ta përsëris Ambasadoren, që vërtet është një ditë e rëndësishme për secilin prej jush, për arsyen se secili prej jush ka nderin të jetë profesionisti i pari në këtë fushë në Shqipëri, të hyjë në histori si i pari profesionist.

Këtë ditë e kemi mundësinë të prezantojmë një profesion të ri në Shqipëri të pa njohur më parë, që është poligrafi. Fatkeqësisht të njohur në botë, por të panjohur në Shqipëri deri më sot. Dhe për këtë arsye besoj që vërtet është një ditë historike për ju, por edhe për vendin tonë sepse ne futim një instrument të ri objektiv, i cili ndihmon jo vetëm në finalizimin e hapave të reformës në drejtësi, por na jep një instrument mbrojtjeje për institucionet tona në vijueshmëri. Ky instrument nuk do të përdoret vetëm për SPAK-un, për BKH, por do të përdoret në vijimësi për gjithë rekrutimet e reja në Policinë e Shtetit, SHÇBA, Gardën e Republikës si dhe për diagnostifikimin periodik të gjithë personave që shërbejnë në institucionet e sigurisë publike. Do të doja ta filloja nga vetja ime në qoftë se më do të më diagnostifikoni.

Zbatimi i Reformës në Drejtësi po njeh çdo ditë ritme të reja. Organet e reja të sistemit po konsolidohen përditë, infrastruktura po përmirësohet, aktiviteti i tyre po ecën dhe shtohet, Vettingu në Drejtësi dhe në Polici po ecin me ritme të mëtejshme. I gjithë ky proces historik për vendin tonë, po shoqërohet nga e gjithë mbështetja e gjerë e institucioneve dhe e vendeve partnere si dhe e publikut. Tashmë është bërë e qartë edhe për më skeptikët se Reforma në Drejtësi është thjesht e pakthyeshme.

Certifikimi i sotëm i specialistëve të rinj për Poligrafin është vetëm një hap në këtë proces të madh. Përmes Poligrafit ne shtojmë një kapacitet teknik të rëndësishëm në ndihmë të vendimmarrjes për pranimin e anëtarëve të rinj në BKH dhe të institucioneve të tjera të sigurisë. Përfshirja e teknologjisë së sofistikuar në morinë e verifikimeve dhe kontrolleve, që zbatohet për përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të BKH-së, është shenjë e kujdesit të madh, që i kushtohet këtij procesi dhe përpjekje për të rritur në maksimume të panjohura më parë, nivelin e objektivitetit në të.

Setet e pajisjeve të poligrafit janë të dhënë nga SHBA, e cila mbetet mbështetësi kryesor i projektit historik të Shqipërisë për një reformë të vërtetë në drejtësi. Me këtë rast kam kënaqësinë që të shpreh falënderimet e Qeverisë Shqiptare dhe të miat, si Ministër i Brendshëm, për këtë mbështetje serioze dhe të pandërprerë, që shprehet sot, edhe në trajtën e këtij investimi si dhe të garantojë se strukturat e Ministrisë së Brendshme dhe posaçërisht SHÇBA-ja, si agjencia e ngarkuar me kryerjen e testimeve të poligrafit, do të jetë në lartësinë më të madhe të përgjegjësisë për plotësimin e kësaj detyre me profesionalizëm dhe paanshmëri të plotë.

Të njëjtat falënderime kam edhe për Shoqatën e Poligrafistëve të SHBA, për kontributin e dhënë në trajnimet e ekspertëve tanë në këtë fushë dhe më lejoni e nderuar zonja Kosiarek, të them që mbase sot jemi të vonuar në shprehjen e një falënderimi për ju, por do t’ju lutem që të mos ikni pa u takuar edhe një herë me neve përmes Drejtor Rrumbullakut, në mënyrë që të shprehim zyrtarisht mirënjohjen që ju e meritoni për këtë dedikim të jashtëzakonshëm dhe profesional.

Zonja dhe zotërinj,
Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit janë dy objektivat madhorë të të gjithë reformës në drejtësi. Qeveria shqiptare, Ministria e Brendshme, institucionet e reja të sistemit të drejtësisë, Policia e Shtetit dhe të gjithë agjencitë e tjera ligjzbatuese janë tashmë të motivuara dhe të angazhuara në një përpjekje historike në këtë front.

Miratimi i paketës së re ligjore kundër krimit shënon një moment shumë të rëndësishëm. Me këto masa Qeveria shqiptare ka marrë përsipër një përgjegjësi madhore dhe një angazhim shumë serioz para popullit shqiptar dhe para partnerëve tanë euroatlantikë.

“Operacioni Forca e Ligjit” synon një goditje vendimtare kundër krimit të organizuar kryesisht në një pikë, që historikisht është konsideruar si një lloj tabuje e paprekshme.

Shterimi i financave kriminale, konfiskimi i pasurive dhe i aseteve kriminale dhe shkatërrimi i modelit të biznesit kriminal janë objektivat madhore të kësaj përpjekjeje. Të gjithë aktorët e përfshirë në këtë përpjekje të gjerë janë motivuar për të bërë më të mirën e mundshme dhe të ndërgjegjshëm për përgjegjësinë e madhe, që mbajnë para popullit shqiptar dhe para partnerëve dhe aleatëve tanë strategjikë, të cilët nuk mund dhe nuk do të zhgënjehen në asnjë çast të këtij procesi.

Në fund të fundit rezultatet do të jenë dhe kriteri i gjykimit publik mbi këtë operacion. Dhe ne nuk do të presim fundin e tij për të gjykuar, por do të analizojmë çdo ditë së bashku çdo hap të tij, për të garantuar në këtë mënyrë që çdo gjë të bëhet në kohën e duhur, në mënyrën e duhur dhe nën mbikëqyrjen e drejtimin e institucioneve përgjegjëse të sistemit të drejtësisë. Ju uroj edhe njëherë suksese, punë të mbarë dhe faleminderit të gjithëve që kontribuuan në këtë projekt shumë të rëndësishëm!
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb