Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Anastas Janullatos, ka ardhur në vendin tonë më 3 qershor 1991, kur President ishte Ramiz Alia, i cili ka pranuar letrat e tij kredenciale.
Por, caktimi i një kleriku për të rimëkëmbur Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë ka ngjallur reagime, për shkak se Janullatosi nuk ishte shqiptar. Pas rrëzimit të diktaturës, Anastas Janullatosi ka bërë kërkesën e tij të parë për të marrë shtetësinë shqiptare që në viti 1992, kur President ishte Sali Berisha.

Por, asokohe, kërkesa nuk u aprovua. Dosja qëndroi në tryezën e Presidentit edhe gjatë mandateve 5-vjeçare të pasardhësve të Sali Berishës. Të njëjtin qëndrim për të mos ia miratuar kërkesën për nënshtetësi shqiptare kanë bërë dhe ish- presidentët Rexhep Meidani, Alfred Moisiu, Bamir Topi dhe Bujar Nishani, të cilët ndoqën praktikën e paraardhësve, duke ia kaluar pasuesit vendimmarrjen.
Kjo kërkesë është aprovuar vetëm më datë 22 dhjetor nga Presidenti aktual, Ilir Meta. Por vendimin e Presidentit Meta ka refuzuar ta komentojë ish-kreu i shtetit, Alfred Moisiu. “Unë respektoj gjithmonë një kod heshtjeje, që pas përfundimit të mandatit tim si President. Nuk komentoj asnjëherë vendimet e paraardhësve dhe pasardhësve në këtë detyrë”, tha dje Moisu për “Panoramën”.

DISKUTIMI
Në vitin 2008, çështja e nënshtetësisë së Kryepeshkopit është hapur sërish dhe asokohe President ishte Bamir Topi. Për ish- kryetarin e shtetit, Bamir Topi, mosdhënia deri tani e nënshtetësisë shqiptare për Kryepeshkopin Anastas Janullatos, nuk ka ardhur për shkelje ligjore, por ajo është “vetëm një gjë në proces, ku duhen marrë në konsideratë disa ndjeshmëri të brendshme”.
Topi ka thënë se “mua më takon të vlerësoj ndjeshmërinë në mënyrë shumë të kulturuar”. Duke vlerësuar punën e Janullatosit në krye të Kishës Ortodokse, Topi ka deklaruar se “Kryepeshkopi grek ka qenë edhe në një pozicion ku i ka shërbyer Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”.

KRITIKAT
Historia e ardhjes së Janullatosit në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare zë fill në qershor të vitit 1991, ku u ngarkua me detyrën e ekzarkut nga Patriarkati Ekumenik i Kostandinopojës, me titullin peshkop i Andrusës. Në atë kohë ndodhej në Afrikën Lindore, i ngarkuar me detyrën e “Kryepeshkopit aktiv” për mëkëmbjen e Kishës Ortodokse të Kenias, Ugandës dhe Tanzanisë, me qendër në Nairobi.
Burimi:http://www.panorama.com.al/pakti-i-heshtur-5-presidentet-refuzuan-ti-jepnin-nenshtetesine-janullatosit-nga-pranimi-te-ramizi-te-heshtja-e-topit/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb