KIEV- Deputetë ukrainas njoftuan sot se do të nisin një procedurë për shkarkimin e presidentit Petro Poroshenko, i përfshirë në hetimin global për krijimin e një shoqërie në ishujt britanik, Virxhinia, në kulmin e konfrontimeve me separatistët prorusë.

“Ne kërkojmë ngritjen në Parlament të një komisioni ‘ad hoc’ përgjegjës për të kryer hetime mbi ekzistencën e shoqërive dhe të llogarive sekrete ‘offshore’ të presidentit Petro Poroshenko”, shkruhet në llogarinë në ‘Facebook’ të Oleg Liachko, kreu i Partisë Radikale, një grupim i vogël populist i përbërë nga 21 deputetë.

Krijimi i një komisioni të posaçëm është një nga hapat e nevojshëm për të nisur procedurën e shkarkimit të presidentit. Një nismë e kësaj përmase mbetet gjithsesi shumë e vështirë për t’u zbatuar. Sipas Kushtetutës, procedura e shkarkimit duhet në fakt të ndërmerret nga shumica në Parlament (të paktën 226 deputetë) dhe së fundmi, çështja duhet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë. Më pas së paku tre e katërta e deputetëve (338 zëra) duhet të votojnë pro shkarkimit të tij.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: