Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, foli në një lidhje ‘live’ për News24 lidhur me situatën që u krijua na Kakavijë, ku mijëra qytetarë u bllokuan në kufi për ditë me radhë.

Ministri Majko sqaroi dhe statusin e tij në ‘Facebook’, që ngjalli shumë reagime, pasi ai falënderonte Kryepeskopin Anastas Janullatos, duke lënë të kuptohej se ndërhyrja e këtij të fundit kishte zgjidhur situatën kaotike.

Duke folur për News24, Pandeli Majko deklaroi se në statusin e tij të ‘Facebook’ ka falënderuar të gjithë ata që ndërhynë në zgjidhjen e situatës, mes të cilëve ishte edhe Janullatos.

Sipas tij, ky status nuk tregon se situata u zgjidh nga ndërhyrja e Janullatos, por ishte një situatë që kërkonte pikërisht të zgjidhej mes marrëdhëniesh njerëzore e humane, dhe pikërisht një gjë e tillë i dha zgjidhje, pa marrë përmasa edhe më të gjera, raporton “BalkanWeb”.

Pjesë nga intervista:

A ishte situatë e jashtëzakonshme në Kakavijë dhe a ishte e vonuar ndërhyrja e Shqipërisë për ta zgjidhur?
Mendoj se brenda 24 orëve atje kanë qenë present të gjithë forcat e nevojshme të strukturave administrative. Do të vecoja forcat e FA, që së bashku me policinë, cuan në zgjidhjen e situatës. Kjo situatë rrjedh nga një situatë më e gjerë e krijuar nga pandemia. Një pjesë e vështirësisë që kemi pasur ka qenë në lidhje me faktin se edhe pala greke e kishte marrë vendimin, që nuk kishte të bënte me politikën, por me ekspertët atje. Ministrat Xhacka dhe Lleshaj meritonin një falënderim për menaxhimin e situatës. Sot në Kakavijë nuk ekziston situate që ishte 24 orë më parë.
Ju thatë se keni kërkuar ndërhyrjen e kryepeskopit Janullatos, kur e kërkuan ndihmën e tij dhe si reagoi ai?
Kjo nuk ka rëndësi. Rëndësi ka që ne iu drejtuam të gjithë faktorëve, të gjithë strukturat shtetërore kanë qenë të angazhuara. Detajet janë të tepërta, kriza mund të konsiderohet e mbyllur dhe vlen të falënderohen të gjitha strukturat shtetërore, që ndihmuan. Në fund të një krize duhet t’i falënderosh të gjithë ata që kanë ndihmuar. Shënimi në facebook kishte të bënte me strukturat shtetërore, por edhe me kryepeskopin.

Pse kërkuat ndihmë prej tij?
Pse duhet të jetë kaq e jashtëzakonshme se si më vajti mendja tek ai. Mendova se gjithë njerëzit që kishin njohje duhet të kontribuonin, sepse një pjesë e situatës u zgjidh nga njohjet, ishte një situatë që kërkonte marrëdhënie njerëzore. Këto gjëra nuk zgjidhen me urdhra, aq më tepër që situata në Greqi është si te ne. marrëdhëniet njerëzore zgjidhën këtë situatë.

Cfarë e pengonte zgjidhjen e situatës, deri me ndërhyrjen e kryepeskopit?
Ne duhet të ndalojmë menaxhimin e krizave kaq delicate, si kjo, me logjikat e Facebook. Facebook është një mekanizëm social për të ndarë mendime, por nuk është mekanizëm administrativ, që vlerëson punën e gjithsecilit. Sot që po flasim unë jam në zyrën time dhe po drejtohem nga këtu. Kolegët e mi kanë qenë në krye të detyrës, Xhacka ishte në vendngjarje. Në këtë situatë të pazakontë ne u përpoqët ta menaxhonim maksimalisht. Mund të zgjidhej më shpejt, por situata ishte e pakonceptuar nga të dyja palët.

U desh ndërhyrja e kryepeskopit që situata të merrte fund…
Kur dikush falënderon kryepeskopin nuk do të thotë që gjërat mbaruan me ndërhyrjen e tij. Për kryepeskopin kam fjalët më të mira e falënderimet më të vecanta, pikërisht se u angazhua, pavarëisht moshës.

Për kë e keni fjalën në status, për opozitën, presidentin, kur thoni “Të tjerat, janë fjalë për “lugën” e atyre që dinë vec cfarë nuk duan”?
Nëse sot do ti kishim ata njerëz akoma duke pritur, do të kishim më shumë se një emergjencë humanitare, do kishim kaos, por kjo gjë u zgjidh. Të gjithë dhanë më të mirën e mundshme, duke gjetur një zgjidhje mes dy palët. Kjo situatë nuk u krijua nga teknalitete politike, por se në gjithë botën po ndodh kjo, për shkak të situatës së pazakontë. E mira nuk ka fund, por kjo nuk ishte një situatë ku ne ishim të përgatitur. Por Brenda 24 orëve të gjitha strukturat shtetërore u përgjigjën. Vazhdoi pak gjatë, sepse dhe pala tjetër nuk ishte e përgatitur. Tani duhet të reflektojmë. Është absolutisht e gabuar të themi që përgjegjësia totale ishte e qeverisë shqiptare.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb