Pushimi i Formulës 1 deri në Çmimin e Madh të Majamit përfaqëson periudhën e parë (dhe të domosdoshme) të reflektimit për kategorinë më të lartë të automobilizmit, në lidhje me rregulloren e re që hyri në fuqi në vitin 2026 dhe që nuk po pëlqehet plotësisht.
Ankesat janë përqendruar në disa fusha të qarta: siguria (aksidenti i Bearman në Suzuka është në qendër të vëmendjes), menaxhimi dhe përdorimi i energjisë, si dhe vetë spektakli në pistë. Pilotët, protagonistët kryesorë, nuk janë të kënaqur me atë që shohin. Edhe tifozët po shfaqin pakënaqësi, siç tregojnë shifrat e audiencës. Por, gjithashtu ka edhe ka një element shumë të rëndësishëm që po ndez diskutimet: parakalimet.
Parakalimi është spektakli i këtij sporti, i adhuruar që kur ekziston Formula 1. “Nuk ka kthesë të pamundur, është vetëm çështje momenti”, thoshte legjenda Airton Senna. Edhe Fernando Alonso e shpjegonte si çështje guximi: “E dija që do të frenonte sepse është i martuar dhe ka dy fëmijë”, rrëfente për një nga manovrat e tij më të famshme ndaj Shumakerit në kthesën 130R në Suzuka. Megjithatë, mungesa e parakalimeve gjithmonë ka shkaktuar debat, duke sjellë edhe epoka si ajo e DRS apo KERS për t’i lehtësuar pilotët.
MË SHUMË PARAKALIME, MË SHUMË PROBLEME – Në Formulën 1 të re situata ka ndryshuar. Të dhënat tregojnë se ka më shumë parakalime, por perceptimi është ndryshe. Në Australi u regjistruan 125 parakalime krahasuar me 45 në vitin 2025, në Kinë 134 në sprint dhe 146 në garë (kundrejt 65 dhe 39 një vit më parë), ndërsa në Japoni u arritën 106, kur më parë ishin vetëm 28. Në teori këto statistika duhej të ishin një sukses, por as pilotët dhe as tifozët nuk e shohin kështu. Problemi kryesor qëndron sepse këto parakalime konsiderohen më shumë si të rastësishme.
“Parakalimet ndodhin pa dashje. Papritur e gjen veten me më shumë bateri se makina përpara. Ose e kalon, ose përplasesh me të”, tha Alonso në Japoni. “Nuk ka më kënaqësi, parakalon pa dashje. Thjesht shmang probleme, nuk ka më guxim apo zgjedhje linje. Gjithçka varet nga diferenca e baterisë”, shtoi spanjolli. Fjalët e tij u dukën profetike pas aksidentit të Bearman. Gjithashtu, këto manovra nuk lidhen më drejtpërdrejt me aftësinë e pilotit.
Një pjesë e madhe e performancës së makinave përcaktohet nga softueri, i cili vendos strategjinë, kur të kursehet energjia dhe kur të shfrytëzohet maksimumi. Piloti duket më shumë si pasagjer. Këtë e theksoi edhe Lando Norris: “Nuk doja ta kaloja Hamiltonin, ndodhi pa dashje. Mbeta pa bateri dhe e kalova, por nuk ishte zgjedhja ime. Nuk e kontrolloja dot. Pastaj më kaloi ai. Nuk është garë…”.
MBROJTJA E F1 – Këto deklarata e kanë kthyer parakalimin në një problem të dukshëm. Nga ana tjetër, drejtuesit e Formulës 1 përpiqen ta mbrojnë situatën. “Çfarë është artificiale? Një parakalim është parakalim”, deklaroi CEO Stefano Domenikali. “Njerëzit harrojnë shpejt, në vitet ’80 duhej të kursehej karburanti. Është pjesë e lojës” shtoi ai.
Italiani e krahason menaxhimin e energjisë me epoka të tjera të sportit, por pak prej tyre kanë krijuar kaq shumë polemika sa rregullorja e vitit 2026. Në thelb të debatit qëndron fakti se vendimet në pistë po merren gjithnjë e më shumë nga programet kompjuterike dhe jo nga pilotët. Kjo shoqërohet me pakënaqësinë e tifozëve dhe me një rregullore që nuk mund të ndryshohet brenda natës. Një problem i vërtetë dhe një dilemë e madhe për të ardhmen e sportit
