Kimi Antonelli vazhdon të shkruajë historinë në Formula 1. Piloti italian triumfoi edhe në Montreal, duke siguruar fitoren e katërt radhazi në Kampionatin Botëror dhe duke konfirmuar formën e jashtëzakonshme të këtij sezoni.
Gara kanadeze u karakterizua nga një duel spektakolar mes George Russell dhe Antonellit, me parakalime dhe kundërparakalime që mbajtën pezull tifozët për më shumë se gjysmën e garës. Por momenti vendimtar erdhi në xhiron e 30-të, kur piloti britanik i Mercedes u detyrua të tërhiqej për shkak të një problemi teknik.
Pas tërheqjes së rivalit kryesor, Antonelli administroi me qetësi avantazhin deri në fund, duke kaluar i pari vijën e finishit nën flamurin me kuadrate. Pas fitoreve në Shanghai, Suzuka dhe Miami, italiani kompleton kështu një seri të jashtëzakonshme suksesesh dhe rrit diferencën në renditjen e përgjithshme ndaj shokut të skuadrës, George Russell, nga 18 në 43 pikë.
Në podium bashkë me Antonellin u ngjitën Lewis Hamilton, që arriti rezultatin e tij më të mirë me Ferrarin duke u renditur i dyti, dhe Max Verstappen në vendin e tretë. Charles Leclerc e mbylli garën në vendin e katërt, duke shpëtuar një fundjavë të vështirë për pilotin monegask.
Ferrari dhe Red Bull përfituan maksimalisht nga një garë zhgënjyese e McLaren. Strategjia e gabuar me gomat komprometoi që në fillim garën për Lando Norris dhe Oscar Piastri. Norris u detyrua të tërhiqej në xhiron e 41-të për shkak të një problemi në kambion, ndërsa Piastri e mbylli vetëm në vendin e 13-të.
