Një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar në portën e banesës së Altin Ballës, vëllait të Julian Ballës, në Shijak.
Ngjarja ka ndodhur më 17 korrik, ndërsa sipas informacioneve paraprake, nga shpërthimi nuk ka persona të lënduar. Dëmet e shkaktuara kanë qenë vetëm materiale dhe të vogla.
Autorët e vendosjes së lëndës plasëse ende nuk janë identifikuar, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Dyshimet paraprake janë se shpërthimi mund të ketë pasur qëllim intimidues, si një mesazh kërcënues ndaj familjes Balla.
Ngjarja vjen në një kohë kur emri i Julian Ballës është në hetim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK). Ai është shpallur në kërkim me masë sigurie “arrest me burg”, në kuadër të hetimeve për grupin kriminal të drejtuar nga Franc Çopja dhe Ervis Çela në Elbasan.
SPAK ka sekuestruar më herët disa pasuri që dyshohet se lidhen me Julian Ballën, mes tyre resortin “Ajman Park” në Durrës dhe një vilë në Dhërmi.
Policia dhe Prokuroria vijojnë hetimet për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të motivit të shpërthimit.
