Nga: KLODIANA LALA*
TIRANE – Në fakt nuk ndodh për herë të parë që kryeprokurori Adriatik Llalla paralajmëron furtunë arrestimesh. Pas një takimi prej më shumë se 40 minutash me trupën e prokurorëve të Krimeve të Rënda, numri një i organit qendror të akuzës, tha se “sigurisht do ketë arrestime”. U referohej këtu arrestimeve të personave me pushtet dhe zyrtarëve të lartë. Deklarata ishte e shkurtër dhe e dhënë për mediat në kohën kur në fakt kishte zënë vend në makinën e tij luksoze.

Por, ndërsa politika dhe opinioni publik zien për akuzat e forta të hedhura nga ish-shefi i antidrogës në Fier, Dritan Zagani në drejtim të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, kryeprokurori zgjodhi të mos bënte komente. Paralajmërimi i kryeprokurorit vjen në kohën kur klima politike në vend është e tensionuar, çka në pamje të parë duket sikur pikërisht janë njerëzit e politikës që do të pësojnë goditjet. Por fakti që Adriatik Llalla ka bërë dhe më herët deklarata të tilla të forta, duke folur për dosje në duart e tij që do të ndryshonin të ardhmen e vendit dhe ndërkohë “asnjë peshk” nuk ka rënë në “rrjetën” e tij, gjithçka duhet marrë me rezerva.

Njësia antikorrupsion
Me qëllim përballimin e fluksit të madh të procedimeve penale në Njësisë Antikorrupsion pranë Prokurorisë për Krime të Rënda, Prokurori i Përgjithshëm ka firmosur për fuqizimin e kapaciteteve njerëzore të kësaj njësie. Aktualisht, njësia, do të përbëhet nga 5 prokurorë dhe në krye të saj është emëruar Dritan Rreshka. Zyrtarisht thuhet se njësia numëron rreth 400 raste, mbi të cilat po kryhen veprimet proceduriale sa i përket hetimeve pasurore për persona dhe grupe të strukturuara kriminale, si edhe për raste të dyshuara korrupsioni në nivele të larta drejtuese.

Takimi
Në takimin që pati me trupën e prokurorëve të Krimeve të Rënda, Llalla prezantoi prokurorët e rinj, të cilët kanë përvojë në struktura antikorrupsion në prokuroritë e rretheve gjyqësore.
“Njësia Task-Force e Prokurorisë për Krime të Rënda, krahas numrit të lartë të procedimeve, tashmë ka mbështetjen e një numri më të madh prokurorësh, ekspertizën e specializuar të OPDAT-it dhe specialistëve vendas. Për këtë arsye, u kërkoj prokurorëve të Njësisë Antikorrupsion pranë Prokurorisë për Krime të Rënda që të finalizojnë procedimet e deritanishme të korrupsionit dhe hetimit pasuror, si edhe vijojnë menjëherë me rastet që kanë nisur ose janë referuar kohët e fundit”, tha kryeprokurori.

Në vijim theksoi se “prokurorët që do t’i atashohen kësaj njësie, ndoshta me të drejtë, mund ta konsiderojnë si vlerësim përfshirjen e tyre në të. Por më shumë është një përgjegjësi e madhe, së pari para opinionit publik. Për të dëshmuar gjithnjë e më shumë forcën e ligjit përballë zyrtarëve të ndryshëm në niveleve të larta drejtuese, të dyshuar si të përfshirë në veprime korruptive, si edhe grupeve kriminale, të fuqizuara financiarisht”.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: