TIRANË- Ish-deputeti demokrat dhe një nga themeluesit e Partisë Demokratike Arben Imami ka qenë sot në emisionin “Kjo javë” në News24 për të folur për zhvillimet brenda opozitës por edhe për ato jashtë saj. Imami deklaroi se është kundër krijimit të një partie të re por nuk i kurseu kritikat dhe madje etiketimin ‘i paaftë’ për kreun e PD-së Lulzim Basha. Ai tha se ka folur me ish-deputetin tjetër të lënë jashtë nga Basha, Astrit Patozi dhe kritikët e tjerë të Bashës por se nuk e sheh si zgjidhje krijimin e një partie të re. Imami tha se një nga mundësitë se si do shkojë e ardhmja e PD-së me kryetar Bashën është rënia dhe skandalet rozë.

Zoti Patozi ju ka ftuar në partinë e tij?
E kam takuar, kam komunikuar.

Pse nuk keni dashur?
Nuk e quaj zgjidhje. Kam pikëpamjet e mia. Jam Arben Imami, jam themelues i kësaj partie. Populli është në shtëpi, nuk e di çfarë ndodh në PD. Bashkimi mund të bëhet në dhe nëpërmjet PD-së. Kemi ide të afërta, shumë të afërta por nuk do të thotë të krijohet patjetër një institucion. Unë nuk jam me askënd, por jam me Arben Imamin në PD. Unë jam aty, do të vijoj të flas.

Po alternativa juaj?
Zoti Basha është kryetar. Unë ju thashë, mbase nuk ishte e kuptueshme për ju. Qartësia është po të dalësh të thuash do krijoj parti kundër Bashës?

Po a jeni me këtë ide?
Po dilni pra këtu, jo, jo, jo. Ju keni qejf e di. Kam qëndrimin tim. Çdo njeri në këtë vend është i lirë. Ju të detyroni të krijosh parti me zor. Nuk e kam këtë plan, dhe nuk do ta bëj. Unë nuk do bashkohem me njeri. Unë kam mendimin që mund ta kem të gabuar. Konsultohem me Jozefinën, me Kullurin, me Harxhin, me deputetë të sotëm, i kam miq. I kam pasur kolegë dhe i kam por kjo nuk më shtyn që duhet ngritur një forcë. Ore doni ta shkatërroni me zor PD-në.

Ju mendoni që PD duhet të udhëhiqet nga një tjetër personalitet?
Unë jam i bindur që ky njeri është i paaftë. Këtë mendim që kam unë, nuk e kanë të gjithë në PD. Dhe unë e pranoj. Nuk i quaj ata që mendojnë ndryshe nga unë se e kanë gabim. Unë jam një ndër ata kritikë të zotit Basha. Ka një platformë, ka një grup. Unë kam qëndrimin tim.

Çfarë mendoni me eksperiencën tuaj politike se do të ndodhë në PD?
Parashikimi i të ardhmes nuk është zanati i politikanëve.

Ju mendoni se Basha nuk duhet të jetë aty, atëherë çfarë pritshmërish keni?
Flitet për mundësi si do shkojnë gjërat. Një nga mundësitë është që PD po vijon në rënie. PD mund të vijojë me rozë. PD mund të vijojë ta mbulojnë skandale, psh si votat ndaj Gramoz Ruçit.

Kam firmosur unë që të largohet pas zgjedhjeve. Kur është për të ndërmarrë një qëndrim e kam bërë. Por kjo nuk më nxjerr jashtë partie, që është kjo që doni, që pëlqen shtypi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb