Goli i ish-it në kohën shtesë është një nga ndjesitë më të çudishme në futboll që hidhëron pa masë njërin krah dhe çon në qiell krahun tjetër. Dhe kur vjen në një sfidë që ishte destinuar për t’u ndarë barazim atëherë fitorja natyrisht që merr një tjetër peshë. Partizani udhëtonte në “Loro Boriçi” për t’u ndeshur me Vllazninë dhe për t’u rikthyer te fitorja pas ndalesës në barazimin ndaj Teutës, ndërsa shkodranët donin suksesin që do i mbante në krye dhe pas javës së 8-të të kampionatit.

Sfida nis e qetë, me dy skuadra që tregohen të kujdesshme në manovrat e tyre dhe kërkojnë ta kapin kundërshtarin në befasi. Siç ndodh në rastin e golit të Partizanit, kur në minutën e 14-të, kur Kordeiro i vidhet mbrojtjes dhe shënon pas pasigurisë së Sherrit, duke kaluar në epërsi kampionët. Por Vllaznia nuk pajtohet dhe luan shpejt një goditje dënimi duke përfituar nga përgjumja e mbrojtjes së kuqe. Lika gjuan rreptë me të majtën, Hoxha nuk kontrollon siç duhet për t’i dhënë shansin Krymit që të barazojë shifrat në minutën e 18-të.

Pjesa e dytë do të jetë më e luftuar. Janë kryeqytetasit ata që kanë mundësitë e para për shënim me Solomon dhe çinarin, ndërsa më pas Shtubina në minutën e 66-të dhe Lika në të 90-ën detyrojnë Hoxhën të bëjë dy ndëryrje të shkëlqyera. Më pas minutat fatale për kuqeblutë. Çinari shërbehet nga Mala dhe i shpëtoin pozicionit jashtëloje duke shkarkuar të majtën në rrjetën e Sherrit. Nuk feston Çinari, pasi luante për herë të parë ndaj ish-ekipit të tij.

Goli në minutën e 92-të trondit shkodranët dhe këtu përfiton Asani, që mbyll takimin me golin e tij personal dhe nuk i lë vend rastësisë, duke bërë që 16 herë kampionët e vendit të kthehen në Tiranë me 3 pikë në xhep dhe të ngjiten në kuotën e 14 pikëve, ndërsa Vllaznia mbetet me 12 pikë.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb