Fitorja minimale me Vllazninë në “Qemal Stafa” praktikisht ka siguruar vendin e tretë për Partizanin në Superiore. Në fakt, matematikisht të kuqtë mund ta humbasin këtë pozicion nëse dështojnë të marrin pikë me Elbasanin, ndërsa Tirana fiton me Teutën. Mirëpo në kampin e kuq as që e mendojnë se Elbasani mund të bëjë rezistencë, aq më tepër që sfida nuk do të luhet në “Elbasan Arena”. Të dyja skuadrat me konsensusin e Federatës Shqiptare të Futbollit kanë rënë dakord që ky takim të zhvillohet në stadiumin e Kamzës, të premten në orën 17:00. Trajneri Shpëtim Duro ende nuk i ka nisur përgatitjet për këtë takim formal, pasi i ka lënë futbollistët e tij dy ditë pushim. Mungesa e vetme e Partizanit ndaj Elbasanit do të jetë sulmuesi Raçiç, i pezulluar për arsye kartonësh. Formacionit titullar pritet t’i rikthehet portieri Alban Hoxha, i cili ndaj Vllaznisë mungoi për arsye dëmtimi.

Në rast se Partizani fiton me Elbasanin ndërsa Kukësi arrin të marrë tri pikë me Flamurtarin, atëherë formacioni i Shpëtim Duros do ta mbyllë sezonin si nënkampion i Shqipërisë. Vllaznia, që ka mbetur pa stadium, ka pranuar që ta luajë ndeshjen e saj si pritëse në Korçë, ndonëse shkodranët do të ndeshen me Skënderbeun. Kuqeblutë kanë vendosur kështu, për t’u dhënë mundësi kampionëve të vendit që të festojnë me tifozërinë e tyre titullin e pestë radhazi, një rekord absolut për kampionatin tonë. Skënderbeu ka pranuar menjëherë dhe ka falënderuar Vllazninë për dashamirësinë e shfaqur.

(d.d/j.s/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb