Teuta nuk fiton prej 3 ndeshjeve dhe tashmë e pret një përballje e fortë në transfertë me Partizanin. Durrsakët kërkojnë me çdo kusht të rikthehet te fitorja, duke dashur të përsërisin suksesin e fazës së parë me të kuqtë. Trajneri Edi Martini kërkon të lërë pas çfarë ka ndodhur në javët e fundit dhe beson se ekipi do të bëjë kthesën të premten.

“Jemi në analizë ndeshje pas ndeshje. Ka pasur disa gjëra që nuk kanë shkuar ashtu siç duhet, për shumë arsye. Por, nuk është momenti të qahemi, është momenti të bëhemi gati për Partizanin. Presim që çdo ndeshje ekipi të bëjë lojën e vet, mendoj se do e arrijmë, këtë javë presim të marrim 3 pikëshin”.

Koumbemba? “Ka pasur probleme dhe nuk është stërvitur me ekipin. Gorgiev do kohën e vet të përshtatet, ndërsa kemi edhe Todorovksin në dyshim, por e zëvendëson Idrizaj më së miri.

Kujt i druhem te Partizani? “E respektoj se është emër i madh, kur Partizani ndodhet në ujra të turbullta, bëhet ekip më i rrezikshëm. Kampionati do të jetë njësoj si i vjetshmi”, u shpreh Martini.

Sot në konferencën për shtyp, në krah të trajnerit Edi Martini ishte edhe kapiteni Sherif Kallaku. Në fjalën e tij mesfushori u shpreh:

“Unë jam mësuar të marr shumë përgjegjësi, jam munduar t’i rregulloj sa më shumë paraqitjet e mia. Tani jam gradualisht në rritje. Ndjej shumë keqardhje për pikët e lëna me Skënderbeun. Kemi luajtur mirë, por nuk patëm fat, u ndëshkuam nga hiçi.

Me një gol diferencë ndeshja nuk është kurrë e fituar, na ndodhi edhe me Kastriotin, duhet të shënojmë golin e dytë .Partizani? Kam shumë besim se nesër do arrijmë të marrim 3 pikë. Mendoj se është ndeshja e duhur për të marrë 3 pikët, unë do isha i zhgënjyer po të dilte ndeshja barazim”.

E ardhmja? “Akoma nuk kam pasur një bisedë për të ardhmen time me Lokomotivën. Më kanë kërkuar të flas me ta nga afër” u shpreh Kallaku.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb