Te Partizani kanë nisur prej kohësh diskutimet për ndërtimin e skuadrës së sezonit të ardhshëm, ndërsa një nga prioritetet kryesore të drejtuesve mbetet ruajtja e bërthamës së grupit aktual.partizaniEdhe pse shumë prej futbollistëve kryesorë janë në fundin e kontratës me klubin, ideja fi llestare e drejtuesve është që pjesa më e madhe e organikës të konfi rmohet edhe për sezonin e ardhshëm. Drejtuesit synojnë të ruajnë rreth 70% të grupit aktual, duke qenë se konsiderojnë se skuadra ka një bazë të mirë dhe disa lojtarë me peshë që mund të jenë sërish liderë të ekipit edhe në edicionin e ardhshëm.

Në klub ekziston bindja se vazhdimësia është shumë e rëndësishme dhe se ndryshimet e shumta mund të sjellin përsëri paqëndrueshmëri në rezultate. Mes futbollistëve që konsiderohen prioritet për t’u mbajtur në skuadër janë emra si Qirko, Preka, Marku, Atanaskoski, Buxhelaj, Dumbia, Qaka, Human, por edhe disa prej lojtarëve të repartit ofensiv. Të gjithë këta futbollistë vlerësohen si pjesë e rëndësishme e projektit dhe drejtuesit synojnë të ndërtojnë ekipin e ri pikërisht rreth tyre.

Megjithatë, situata në merkato mbetet gjithmonë e hapur dhe në klub janë të vetëdijshëm se për disa prej lojtarëve mund të mbërrijnë oferta të rëndësishme ekonomike. Në rast se do të ketë propozime të konsiderueshme, drejtuesit do t’i shqyrtojnë me kujdes, sidomos duke marrë parasysh faktin se Partizani nuk do të marrë pjesë në Kupat e Europës sezonin e ardhshëm dhe të ardhurat e klubit pritet të jenë më të kufizuara.

Pavarësisht kësaj, plani fillestar mbetet ruajtja e lojtarëve kryesorë dhe forcimi i skuadrës me disa afrime cilësore. Te Partizani synojnë që gjatë merkatos së verës të shtojnë elementë që mund të rrisin konkurrencën brenda grupit dhe njëkohësisht të ndihmojnë ekipin të rikthehet sërish në garë për titullin kampion. Në klub besojnë se sezoni i kaluar tregoi se skuadra kishte nevojë për më shumë konkurrencë në disa reparte dhe për një organikë më të balancuar. Për këtë arsye, merkatoja e verës pritet të jetë shumë e rëndësishme për ndërtimin e ekipit të ri. Sigurisht, një rol të rëndësishëm në këtë proces do të ketë edhe trajneri i ri i skuadrës.

Drejtuesit janë në pritje të emërimit të teknikut që do të marrë drejtimin e Partizanit dhe më pas do të vendosen edhe lëvizjet konkrete në merkato. Ideja është që trajneri të ketë fjalën e tij për futbollistët që do të afrohen apo për ata që do të qëndrojnë në ekip.

Ndërkohë, drejtori sportiv Agim Ibraimi po punon për të nisur një cikël të ri te Partizani, me synimin që klubi të ketë më shumë stabilitet dhe skuadra të ndërtohet mbi baza më të forta për sezonin e ardhshëm. Në ambientin e të kuqve ekziston bindja se Partizani ka potencialin për t’u rikthyer shumë shpejt konkurrues në kampionat dhe për të luftuar sërish për vendet më të larta të klasifi kimit. Për këtë arsye, vera pritet të jetë vendimtare për të ardhmen e klubit dhe për projektin që drejtuesit synojnë të ndërtojnë në sezonin e ri.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb