Partizani duket se do të vijojë me filozofinë e lojës sulmuese deri në fund të sezonit. Edhe pse në skuadër janë dy sulmues të konfirmuar si Skuka dhe Cara, pjesë edhe e Kombëtares shqiptare në ndeshjet e fundit, drejtuesit kanë pak alternativa nëse ndonjëri prej tyre dëmtohet apo mungon për arsye të tjera.

Largimi i Cvetanovskit ka shtyrë klubin e kuq të kërkojë një tjetër sulmues, duke shtuar konkurrencën në repartin ofensiv. Dhe emri më i lakuar duket se është Eraldo Çinari, me shkodranin që është aktivizuar me Partizanin në të kaluarën, duke bërë shumë mirë.

Fakti që ai ka përfunduar kontratën me Samsunsporin në Turqi dhe e njeh mirë ambientin në klubin e kuq, e bëjnë atë kandidatin kryesor për të firmosur në merkaton e dimrit. Çinari ka luajtur 181 ndeshje në Abissnet Superiore me Vllazninë dhe Partizanin, duke shënuar 40 gola në total.

Pista e sulmuesit shkodran zbeh ardhjen e Eros Grezdës, edhe për faktin se kërkesat e tij financiare janë të larta, me mesfushorin sulmues që parapëlqen liga më të forta se kampionati shqiptar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb