Pas Enea Jorgjit edhe dy arbitra të tjerë shqiptarë janë promovuar nga Komiteti i Arbitrave në UEFA, duke u ngjitur në kategorinë e parë. Bëhet fjalë për arbitra Juxhin Xhaja dhe Emanuela Rusta, të cilët tani e tutje mund të gjykojnë ndeshje të nivelit më të lartë në kompeticionet europiane.

Një tjetër lajm i shkëlqyer dhe një sukses për arbitrimin shqiptar dhe Federatën Shqiptare të Futbollit, sepse tashmë do të kemi arbitra nga Shqipëria, të cilët marrin një vlerësim të tillë nga UEFA.

Kjo tregon edhe një herë rritjen e arbitrimit shqiptar dhe përfaqësimin në nivele të larta të skenës së futbollit europian e botëror.

Më konkretisht Xhaja dhe Rusta kanë tashmë të drejtën të arbitrojnë në ndeshjet e UEFA Champions League deri në ndeshjet eliminatore para grupeve si dhe në ndeshjet e UEFA Europa League e UEFA Europa Conference League, duke përfshirë edhe ato në grupe, ndeshjet e ekipeve kombëtare A gjatë fazave eliminatore.

Arbitrat e kategorisë së parë nuk mund të drejtojnë vetëm ndeshje të fazës finale të një kampionatit Europian apo kampionati Botëror.

Në dhjetor të vitit 2021 ishte Enea Jorgji ai që u përfshi në Kategorinë e Parë të arbitrave, ndërsa së bashku me Juxhin Xhajën (meshkuj) dhe Emanuela Rusta (femra) shkon në tre numri i arbitrave shqiptarë në këtë kategori.

Aktualisht, arbitri Juxhin Xhaja është i impenjuar në finalet e Kampionatit Europian për moshat U-21 qe ka nisur dy ditë më parë e që luhet në Rumani & Gjeorgji, ku do të jetë vetëm në rolin e arbitrit të 4-t, ndërsa në muajin korrik ai do të jetë prezent në finalet e Kampionatit Europian U-19, që do të zhvillohet në Maltë.

Tashmë të tre arbitrat kanë shansin, që duke punuar fortë me paraqitjet e tyre në Europë, të bëjnë të mundur promovimin brenda dy viteve në kategorinë më të lartë të arbitrimit “Elite”, që është edhe objektivi për të gjithë ata që fillojnë profesionin e arbitrit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: