Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale. Mësohet se Veliaj është transferuar nga ambientet e paraburgimit të Durrësit në një spital privat. Operacioni ka rezultuar me sukses.
News24 mëson se Veliaj pas ndërhyrjes është rikthyer sërish në paraburgim.
Erion Veliaj ndodhet në qeli prej 10 shkurtit të 2025. SPAK ka renditur ndaj Veliajt 13 akuza, të tilla si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.
Akuza dominuese është ajo e korrupsionit pasiv e kryer në 9 raste, në raport me disa kompani për të cilat SPAK thotë se ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe dërgoi për gjykim Veliajn. Po kështu, për gjykim është dërguar edhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, si dhe 28 persona e shoqëri të tjera, pjesë e dosjes “Veliaj”.
