Në episodin e radhës të Public Square, i ftuar ishte Brando Benifei, deputet i Parlamentit Europian dhe kryetar i delegacionit për marrëdhëniet me SHBA, në një bisedë me Dirmir Bushatin mbi sfidat strategjike të Europës në një rend ndërkombëtar gjithnjë e më të paqëndrueshëm.

Gjatë intervistës, Benifei theksoi se marrëdhënia transatlantike po kalon një periudhë tensioni, ku dialogu mes Parlamentit Europian dhe Kongresit amerikan mbetet thelbësor për ruajtjen e bashkëpunimit, veçanërisht për çështje si mbështetja ndaj Ukrainës dhe menaxhimi i mosmarrëveshjeve tregtare.

Në analizën e tij për sigurinë europiane, ai u shpreh qartë se Europa ende nuk është gati të vetëmbrohet pa SHBA-në, duke nënvizuar nevojën për forcimin e industrisë ushtarake europiane, rritjen e autonomisë strategjike dhe zhvillimin e kapaciteteve të pavarura teknologjike e mbrojtëse.

Një pjesë qendrore e diskutimit iu kushtua luftës në Ukrainë, ku Benifei kritikoi mungesën e iniciativës politike të Bashkimit Europian për të propozuar një plan realist paqeje, duke argumentuar se Europa ka mbetur më shumë në pozicion reagimi sesa udhëheqjeje diplomatike.

Sa i përket sovranitetit digjital, ai theksoi se Bashkimi Europian duhet të investojë në produkte teknologjike të ndërtuara në Europë, në inteligjencë artificiale, cloud dhe infrastrukturë kritike, për të shmangur varësinë strategjike nga SHBA apo Kina. Në këtë kuadër, ai kujtoi edhe rolin e tij si relator i legjislacionit europian për inteligjencën artificiale.

Në fund, Benifei dha një mesazh të fortë politik për të ardhmen e projektit europian: “Europa nuk ka të ardhme nëse nuk ndryshon brenda një periudhe relativisht të shkurtër”, duke mbështetur nevojën për një Bashkim Europian më federal, me më shumë investime të përbashkëta, mbrojtje të përbashkët dhe politikë të jashtme më të integruar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb