Pas një periudhe gati trevjeçare pa një kryediplomat të konfirmuar, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë do të ketë sërish drejtuesin e saj zyrtar. Ambasadori Eric Wendt nis këtë të shtunë misionin e tij në Shqipëri, duke pasuar Yuri Kim, e cila u largua nga detyra në qershor të vitit 2023.
Wendt do të pritet sot në një takim zyrtar nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, të cilit do t’i dorëzojë letrat kredenciale. Më pas, kreu i shtetit dhe ambasadori i ri amerikan do të zhvillojnë një takimi kokë më kokë.
I propozuar nga Presidenti Donald Trump dhe i konfirmuar nga Senati amerikan më 6 gusht, Eric Wendt vjen në Tiranë me një sfond të konsoliduar ushtarak dhe të sigurisë kombëtare. Ai gëzon një përvojë prej mbi 34 vitesh shërbimi në ushtrinë e Shteteve të Bashkuara, me një karrierë të gjatë drejtuese në Forcat Speciale “Green Berets”. Për më tepër, gjatë karrierës së tij diplomaci-ushtarake, ai ka drejtuar edhe Komandën e Operacioneve Speciale të NATO-s.
Gjatë dëgjesës së tij më 20 maj në Senatin amerikan, Wendt bëri të qarta shtyllat kryesore ku do të fokusohet gjatë mandatit të tij në Shqipëri. Ndër to, ai nënvizoi përkushtimin për sundimin e ligjit përmes luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut të lëndëve narkotike, si dhe forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushat e mbrojtjes dhe sigurisë kibernetike.
Në kuadër të reformës në drejtësi, Wendt shprehu mbështetje të plotë për SPAK-un, duke vlerësuar lart bashkëpunimin e kësaj strukture me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit:
“Puna e SPAK-ut mbetet kyçe për sa kohë ky institucion ruan pavarësinë dhe qëndron larg ndikimeve politike.”
