Një debat i fortë publik është rindezur lidhur me njërën prej çështjeve më të ndjeshme të viteve të fundit në Shqipëri, atë të zhdukjes së Bleona Matës. I ftuar në emisionin “News24 Fundjavë”, avokati Alban Duraj ka dhënë sqarime rreth deklaratave të tij mediatike që shkaktuan reagimin e ashpër të nënës së vajzës, Bukurie Mata.

Çështja mori vëmendje të madhe pas një daljeje televizive të avokatit Alban Duraj në një emision televiziv, ku ai deklaroi se bazuar në informacione të caktuara, mendohej se Bleona Mata ishte identifikuar në një nga vendet e Bashkimit Evropian dhe se me çështjen po merrej një detektiv privat.

Kjo deklaratë u pasua nga reagimi i nënës së vajzës, Bukurie Mata, e cila e cilësoi pohimin e avokatit si të pavërtetë, duke deklaruar publikisht se nuk e njihte atë dhe nuk i kishte dhënë asnjë informacion të tillë.

I pyetur gjatë intervistës në News24 mbi bazën e këtyre deklaratave dhe pretendimin e nënës se nuk njihen, avokati Alban Duraj sqaroi se nuk ka pasur kurrë një takim fizik apo takime personale me zonjën Bukurie Mata, por ka komunikuar me të gjatë një transmetimi televiziv.

“Unë zonjën Bukurie Mata nuk e kam takuar asnjëherë nga afër për të pirë kafe apo diskutuar privatisht. Më 25 qershor 2026 kam qenë i ftuar si ekspert ligjor në një emision. Zonja Bukurie ishte e lidhur me video-call dhe gjatë përgatitjeve para emisionit kemi komunikuar”, tregoi Duraj.

Për të mbështetur pretendimin e tij se nuk ka folur pa bazë, avokati transmetoi një pjesë audio nga ai transmetim ku nëna e Bleonës e falënderonte publikisht atë dhe median për ngritjen e zërit lidhur me kërkimin e vajzës së saj.

Lidhur me pretendimet se vajza ndodhet në një vend të BE-së, Duraj u shpreh se këto informacione i referohen deklaratave të vetë nënës dhe të dhënave të grumbulluara nga një detektiv privat.

Sipas avokatit, ekziston një foto e një vajze në një shtet evropian, e cila pretendrohet se ka shenjën e djegies në anën e djathtë të fytyrës, një karakteristikë e Bleonës, dhe se kjo fotografi i është dërguar detektivit privat për verifikime nëpër shkolla dhe universitete.

Në përmbyllje të intervistës, avokati Duraj deklaroi se përfshirja e tij në këtë çështje ka qenë tërësisht me qëllim human dhe publik për të ndihmuar një nënë në nevojë dhe për të sensibilizuar shoqërinë.

Ai theksoi se nëse Bukurie Mata kërkon që ai të mos prononcohet më publikisht për këtë çështje, ai do ta respektojë plotësisht dëshirën e saj. Duraj shtoi se mbetet i hapur për t’i ofruar ndihmë ligjore ose morale familjes sa herë që ajo ta shohë të arsyeshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb