Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell, dhe komisionari për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi kanë përshëndetur mbajtjen e zgjedhjeve në Mal të Zi, ndërsa theksuan se ato u zhvilluan nën klimë të qetë.

Në një deklaratë të përbashkët për zgjedhjet parlamentare në Mal të zi, që u mbajtën më 30 gusht, Borrell dhe Varhelyi pohuan se Mali i Zi duhet ta shfrytëzojë mundësinë për të thelluar dhe përshpejtuar reformat politike dhe ekonomike, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit. Mes të tjerash ata u shprehën se janë në pritje të konstituimit të Kuvendit të ri dhe formimit të një qeverie të re, që do të vazhdojë rrugën e Malit të Zi drejt BE-së.

Duke u thirrur në raportin paraprak të Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut (ODIHR), zyrtarët e BE-së deklaruan se procesi zgjedhor është zhvilluar me një debat të polarizuar mbi çështjet e kishës dhe identitetit kombëtar. Borrell dhe Varhelyi kërkuan nga aktorët politikë dhe institucionet përkatëse që, pas raportit përfundimtar të ODIHR-it, të angazhohen në një dialog transparent, vendimtar dhe gjithëpërfshirës për zbatimin e rekomandimeve. Dy zyrtarët e lartë evropianë konfirmuan se BE-ja është plotësisht e angazhuar për të vazhduar mbështetjen e procesit të pranimit të Malit të Zi në BE, si dhe për rimëkëmbjen e tij ekonomike pas pandemisë COVID-19.

Të dielën në Mal të Zi u mbajtën zgjedhjet parlamentare, në të cilat, për herë të parë pas tri dekadash, Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit Millo Gjukanoviq ka humbur. Zgjedhjet u fituan nga partitë opozitare që konsiderohen si pro-serbe dhe pro-ruse. Mali i Zi, përndryshe, konsiderohet lider në procesin e integrimit evropian. Ai ka qenë vendi i parë i Ballkanit Perëndimor që ka nisur negociatat e pranimit me Bashkimin Evropian, në qershor të vitit 2012.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: