Dy ditë pas tensioneve dhe incidenteve të ndodhura në fshatin Dardhë të Librazhdit, ku një grup banorësh shembën gardhin rrethues të një hidrocentrali privat duke protestuar për mungesën e ujit të pijshëm dhe atij për vaditje , situata në terren vijon të mbetet e tensionuar, ndërsa banorët kërkojnë një zgjidhje të menjëhershme për një problem që, sipas tyre, zgjat prej muajsh.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë gardhin prej teli të rrëzuar në tokë, praninë e punonjësve të Policisë së Shtetit për të shmangur përshkallëzimin e situatës, si edhe punonjës të hidrocentralit që ndodhen në zonë. Ndërkohë, një përfaqësi e banorëve vazhdon të qëndrojë pranë burimit të ujit, duke këmbëngulur se veprimi i tyre ishte pasojë e një situate të padurueshme dhe jo një akt i paramenduar konflikti.
Sipas dëshmive të tyre, prej rreth gjashtë muajsh komuniteti është përballur me mungesën e ujit të pijshëm dhe të ujit për vaditje, çka ka sjellë vështirësi të mëdha në jetën e përditshme. Ata theksojnë se, si një zonë rurale, nevojat për ujë janë jetike jo vetëm për familjet, por edhe për bagëtitë dhe aktivitetin bujqësor, që përbën burimin kryesor të të ardhurave për shumë banorë.
Banorët e fshatit Dardhë në Njësinë Administrative Hotolisht në bashkinë e Librazhdit ,deklarojnë se shqetësimin e kanë ngritur vazhdimisht pranë institucioneve përgjegjëse, duke kërkuar ndërhyrje dhe zgjidhje konkrete, por sipas tyre nuk kanë marrë përgjigje efektive. Pikërisht kjo mungesë reagimi, thonë ata, i çoi në vendimin për të ndërhyrë vetë në zonën ku ndodhet hidrocentrali.
Një tjetër shqetësim i ngritur prej tyre lidhet me një marrëveshje të mëparshme me institucionet vendore, sipas së cilës gjatë sezonit veror prioritet në përdorimin e ujit do të kishin banorët e zonës. Ata pretendojnë se kjo marrëveshje nuk është respektuar, duke lënë komunitetin pa një nga shërbimet më bazike për jetën dhe aktivitetin ekonomik.
Mungesa e ujit, por edhe problemet e vazhdueshme me infrastrukturën rrugore, sipas banorëve, kanë ndikuar edhe drejtpërdrejt në zbrazjen e fshatit turistik Dardhë dhe të gjithë zonës së Hotolishtit në bashkinë e Librazhdit të cilat ende janë nga më të populluarat përgjatë luginës së Shkumbinit. Shumë familje janë larguar ndër vite në kërkim të kushteve më të mira të jetesës, ndërsa ata që kanë mbetur kërkojnë zgjidhje të menjëhershme për të mos u përballur me një braktisje edhe më të madhe të zonës.
Banorët i bëjnë thirrje institucioneve shtetërore dhe autoriteteve përgjegjëse të ndërhyjnë sa më parë për rikthimin e furnizimit normal me ujë dhe për respektimin e marrëveshjeve të arritura, duke theksuar se garantimi i një nevoje bazike si uji i pijshëm është një e drejtë themelore e çdo komuniteti.
