Ish-ministri i jashtëm shqiptar Paskal Milo thotë se deklarata e sotme e Presidentit Ilir Meta ishte shumë e fortë.

Ai theksoi në emisionin “Open” se deklarata ka nxjerrë në shesh gjërat që janë thënë korridoreve.
“Duke patur parasysh çfarë përfaqëson Ilir Meta në politikën shqiptare unë mendoj që është një nga lëvizjet më të fuqishme të tij, që dëshmon që politika shqiptare do të fitojë së shpejti një luftëtar që rikthehet në arenën e politikës ku ai ndihet më mirë, për t’u përleshur në kuptimin politik”, deklaroi Milo.

Ai shtoi më tej se qëllimi kryesor i ndërkombëtarëve është stabiliteti edhe nëse ka demokraci në nivele të ulëta.
Madje për ta konkretizuar këtë, Milo tregoi se një rast të tillë e kishte pasur gjatë kohës që drejtonte Ministrinë e Jashtme në vitin 1998.

“Pas grushtit të shtetit në vitin 1998, u mblodh Parlamenti për heqjen e imunitetin të Sali Berishës. Gjatë asaj kohe, nën cilësinë e ministrit pata takime me ambasadorin amerikan, gjerman dhe italian. Thuajse njëzëri më tha se nëse arrestoni Sali Berishën, atëherë do u ndërpresim të gjitha ndihmat”, tha Milo, duke e deklaruar se gjithçka e thënë ishte nën përgjegjësinë e tij.

Sipas Milos, edhe në luftën e Kosovës ka pasur “kompromise” të tilla, në emër të stabilitetit në rajon. Pikërisht këtë shembull përdori Milo, teksa tha se Meta ka pasur takime intensive me ambasadorë dhe ka konstatuar se kanë qenë të njëanshëm.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb