Gjatë protestës së mbajtur përpara godinës së Kryeministrisë, një nga aktivistët e pranishëm ka adresuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke vënë në dyshim besueshmërinë e tij dhe duke e cilësuar kabinetin qeveritar si “pasqyrën” e vërtetë të kësaj mazhorance.

Në fjalën e tij, protestuesi listoi një sërë emrash të nivelit të lartë drejtues. Ai përmendi zëvendëskryeministren Belinda Balluku, duke e akuzuar për shpërdorim të buxhetit të shtetit ndërsa vazhdon të qëndrojë në detyrë, si dhe ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj. Më tej, ai ndaloi te ish-ministri Ilir Beqaj për abuzim me fondet vendase dhe ato të BE-së, si dhe te ish-zyrtarët Saimir Tahiri, Alqi Bllako e Lefter Koka.

Nga shigjetimet nuk shpëtoi as kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, për të cilin protestuesi u shpreh se e ka kthyer kryeqytetin në një “qytet betoni të pajetueshëm ku gjelbërimi duket si fjalë alieni”.

Gjatë fjalës së tij, protestuesi denoncoi edhe një ngjarje të fundit në zonën e Zvërnecit në Vlorë, ku biznesmenë janë kërcënuar nga personazhe problematikë për t’u marrë shuma të mëdha parash. Ai hoqi një paralele mes lirisë që gëzojnë personat me precedentë penalë dhe reagimit të policisë ndaj qytetarëve protestues.

Sipas tij, ndërsa kriminelët lëvizin të lirë dhe ushtrojnë presion mbi bizneset, aktivistët arrestohen dhe mbahen deri në 72 orë në qeli. Ai e përmbylli fjalën duke deklaruar se qytetarët e refuzojnë këtë model qeverisjeje dhe duke kërkuar largimin e menjëhershëm të kryeministrit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb