TIRANË- “Arratisja e Klement Balilajt është prova më e fundit për lidhjet kriminale të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri”. Kjo ka qenë deklarata e kreut të Departamentit për Rendin dhe Sigurinë në PD, Enkelejd Alibeaj paraditen e sotme, ndërsa mediat greke publikojnë gjithnjë e më shumë të dhëna për veprimtarinë ilegale të ish-drejtorit të rrugëve në Sarandë.

“Gjatë 48 orëve që Klement Balilaj zuri hapësirën kryesore të mediave ndërkombëtare, Saimir Tahiri u rrek tu mbushte mendjen qytetarëve se ai ishte i pafajshëm dhe nisi akuzat kundër mediave se po e përflisnin pa të drejtë, madje na e nxori Balilajn edhe në televizion nga zyrat shtetërore të kërcënonte opozitën me procese gjyqsore. Kur nuk ia doli dot t’i siguronte pafajësinë Balilajt, Saimir Tahiri i krijoi kushtet dhe i dha kohë për t’u arratisur vetëm pak para se t’i dërgonte policinë të fshinte provat siç e ka tashmë zakon”, deklaroi Alibeaj.

Ai ka hequr vija paralele mes rastit të Balilajt dhe Arben Frrokut për largimin e tyre nga vendi. “Pas kësaj Tahiri vrapoi t’u thoshte mediave se në sistemin TIMS nuk rezulton që Balilaj të ketë dalë jashtë vendit. Por a nuk tha të njëjtën gjë edhe për Arben Frrokun? I mësuar me shantazhet ndaj mediave shqiptare Tahiri u përpoq të shantazhojë edhe mediat ndërkombëtare për të mbrojtur Balilajn, ortakun në trafik droge të kushërinjve të tij Habilaj, por nuk ia doli. Rrjeti prestigjioz amerikan CNN pasi publikoi reagimin e vartësit të Tahirit në Athinë, menjëherë rikonfirmoi se CNN i është referuar një takimi sekret në Shqipëri mes policisë greke dhe asaj shqiptare ku përfaqësues te policisë shqiptare kanë thënë qartë se ‘në Shqipëri nuk mund të preket ky njeri, sepse ai ka lidhje politike dhe kontakte me parti e politikanë të nivelit të lartë'”, tha më tej Alibeaj.

Sipas tij, përcjellja në arrati e Klement Balilaj drejtues i organizatës ndërkombëtare të Trafikut të Drogës është një tjetër provë e pakundërshtueshme për lidhjet e Saimir Tahirit me narkotrafikun dhe krimin e organizuar.

“Çdo ditë e tij në detyrë është një favor për krimin dhe bandat e veshura me pushtet, është një dëshmi më shumë qe kallëzon drejtpërdrejt Edi Ramën si kapobandën e grupit kriminal në pushtet”, përfundoi Alibeaj.

(m.k/BalkanWeb)​

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: