SARANDË- Deputetja Liliana Elmazi ishte në spitalet e Sarandës dhe të Delvinës ku pa nga afër gjendjen e mjerueshme të sistemit shëndetësor dhe dëgjoi ankesat e kërkesat e qytetarëve.

Pacientët, të afërmit e tyre dhe mjekët i shprehën zonjës Elmazi, shqetësimin e mungesës së ilaçeve, pajisjeve  të amortizuara dhe kushteve skandaloze të spitaleve.

“Ne më shumë marrim sëmundje sesa arrijmë të kurohemi”, u shpreh një pensioniste e cila i bëri të ditur deputetes se ushqimet, ilaçet dhe çarçafët i blejnë me paratë e tyre.

Deputetja Elmazi tha se është absurde dhe antihumane që ministri i shëndetësisë Beqaj fut në xhepat e tij, kryeministrit dhe klientelës së qeverisë, 330 milion euro nga koncesionet dhe nuk investon as edhe një lek në spitale.

“Ju e shihni vetë që në Maternitet atje ku lind jeta çdo gjë është në degradim. Në spitale lagështira është mbytëse, nuk ka dyer e dritare dhe kushtet janë skandaloze. Pra sistemi nga Tropoja në Sarandë ka degraduar nga rilindasit Rama-Beqaj”, tha deputetja  Elmazi  e cila i bëri thirrje kryeministrit që si deputet i Vlorës të inspektojë nga pranë spitalet e Jugut.

Sipas saj, ndërkohë që nga koncesionet në shëndetësi fitimet e pushtetarëve janë marramendëse, shumica e banorëve të Jugut kryejnë trajtimet dhe lindjet në spitalin e Janinës duke u thelluar edhe më shumë në borxhe e halle, për të përballuar sëmundjet dhe problemet shëndetësore.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb