TIRANË

Pedagogia Jonila Godole, sekretariati i të përndjekurve në PD tha se e sheh si bekim atë që po ndodh në Partinë Demokratike. E ftuar në rubrikën “Opinion” në Neës24, Godole tha se është një mundësi që PD ka për t’u bërë model për klasën politike.

Ajo foli dhe për zgjedhjet e pjesshme duke theksuar se PD është një proces konsultimi dhe vlerësimi për kandidatët.

“Ka pasur konsultime, me strukturat në rrethe për të zgjedhur kandidatët më të mirë sidomos në këtë situatë që jemi tani. Janë në proces vlerësimi, në mënyrë që të jenë figurat më të pastra dhe kandidatët më të mirë që PD ka, është ende në proces”, tha ajo.

Duke iu referuar shkrimit të një kolegu ajo tha se një nga tiparet e berishizmit është shpallja e atij përballë jo kundërshtar, por armik, si në komunizëm.
“Jam gjithmonë konseguente me gjërat që them. E shoh që PD edhe pse është e vështirë në sytë e demokratëve dhe qytetarëve, është mirë. Na duhet një lloj distance, por besoj që PD kishte nevojë për një krizë, e cila në përgjithësi mund të jetë mallkim, por mund të jetë dhe bekim. Unë futem tek ajo kategori që e shoh si një bekim dhe mundësi të vetme që PD ka për t’u bërë ashtu siç duhet të ishte, model për klasën politike. për ti dhënë fund tranzicionit dhe për një kulturë të re politike, që i largohet, dhunës, urrejtjes ndaj njeri-tjetrit, armiqësisë.
Unë shoh që në këto 30 vite u nis me një lloj idealizmi, por gjatë rrugës ndryshoi, kultura politike u kthye në atë frymë që pikërisht sot kolegu jonë Kajsiu shkruante se cilat janë tiparet themelore të Berishizmit. Një artikull në kohën e duhur, teza që i kemi përsëritur, por që Kajsiu i ka strukturuar. Pikërisht për këto gjëra fliste. Një nga tiparet e berishizmit, shpallja e atij që ke përballë jo si një kundërshtar, por si armik. Ne e dimë nga komunizmi çfarë ndodh me armiqtë. Nuk mendoj që këtë do ta kishim edhe pas 30 viteve. Kështu që është një krizë që e shoh si bekim”, deklaroi Godole.

Ajo theksoi se PD ka shansin historik të vetëm, pas 30 vitesh që ishin një sprovë e mirë. “Tani ka shansin historik të vetëm që ajo ose do ekzistojnë dhe nëse do ekzistojë të ndryshojë kursin. Tani ka shpresën. Ka ardhur koha që të ndryshojë centralizimi i gjithçkaje në dorën e një grupi njerëzish. PD duhet të tregojë që është e zonja të japë një model tjetër. Kjo që po i ndodh PD-së tani do ta shohim dhe te PS por do të jetë dhe me pasoja më të rënda sepse gjithë ky pushtet dikur do të shfryhet. Shumë shpejt”, tha ajo.

Godole tha se po lincohet nga ata që është mbrojtur deri pak muaj më parë dhe sipas saj kultura e lincimit është promovuar nga Berisha.
“PD lindi si një parti, si një shpresë për dhjetëra mijëra, studentë, qytetarë, por me kalimin e kohës, shumë shpejt, me largimin e gjithë elitave, intelektualëve dhe aq më shumë tkurrej PD dhe pushteti ishte në dorën e një lideri, Berishës. Partia ishte ai vetë, kur të hiqte dorë nga partia do hiqte dorë nga ai vetë.
Politika nuk ka moshë, është shumë mirë që është aktiv. Ka të bëjë mënyra dhe stili si e ka drejtuar ai PD-në. Duke mos lënë aty asnjë zë ndryshe, sepse vetëm kjo të jep garanci ty që të qëndrosh në pushtet. Ne aty e kishim Enver Hoxhën për 45 vite.
Jam e shokuar vetë se si mua deri përpara pak muajsh kishte shumë njerëz që më kritikonin, më shanin, më kërcënonin, zakonisht nostalgjikët, kurse tani janë pikërisht ata që më mbronin janë kthyer kundër meje sepse janë vënë në stilin e linçimit që Berisha e ka promovuar. Unë po linçohem, po shahem, po kritikohem. unë i dua kritikat, por krejt pa fakte, nga ata persona që janë verbuar, e shohin sikur fati i PD është i lidhur me fati ne liderit. Është njësoj si atëherë kur mendonin se me ikjen e Enver Hoxhës do ikte gjithë Shqipëria”, deklaroi Godole.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb