Çështja e dy impianteve lundruese të Vlorës vijon të jetë në qendër të debatit politik, me opozitën që prej kohësh ka kërkuar transparencë mbi kontratën, kostot dhe përfitimin real të këtij projekti.

Partia Demokratike akuzon qeverinë dhe institucionet përgjegjëse se kanë përdorur fonde publike për një investim që, sipas saj, nuk ka dhënë rezultatet e pritshme në prodhimin e energjisë.

Deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo ka reaguar sërish për këtë çështje, duke pretenduar se KESH pritet të paguajë 20 milionë euro shtesë për mirëmbajtjen e dy impianteve, të cilat sipas tij nuk kanë funksionuar në mënyrë të qëndrueshme që prej vendosjes së tyre në Vlorë.

Në deklaratën e tij, Bozdo ngre akuza për mungesë transparence, kërkon publikimin e kontratave dhe pretendon se kostot e këtij projekti kanë rënduar mbi taksapaguesit shqiptarë.

Përmes reagimit të tij, deputeti demokrat ka përsëritur akuzat për një kontratë që e cilëson problematike dhe ka kërkuar hetim e përgjegjësi për mënyrën se si janë menaxhuar fondet publike.

POSTIMI I PLOTE

“20 milionë euro shtesë për mirëmbajtjen e 2 Tigrave të Vlorës! BalkanWeb raporton se 20 milionë do të paguhen nga KESH për mirëmbajtjen e 2 rrangallave, që nuk kanë punuar një ditë të vetme deri më sot! Deri tani 2 Tigrat i kanë kushtuar parave të taksapaguesve rreth 90 milionë euro, Deri më sot, 2 Tigrat kanë prodhuar energji vetëm sa për pak ditë konsum kombëtar, duke mos justifikuar as edhe një euro të vetme të blerjes korruptive të tyre, PD ka kërkuar prej kohësh të ketë akses në kontratën e blerjes/qirasë së 2 Tigrave, por në shkelje të ligjit, kontrata është mbajtur e fshehur, 20 milionë eurot, me shumë gjasa, do të shkojnë në të njëjtët xhepa, të të njëjtëve persona që përfituan nga kjo kontratë korruptive. Praktikisht tek ata që punësuan Yuri Kim, kumbaren e Tigrave dhe kamzhikun antiopozitar të klanit Soros, Për çudi, sot ky tender është hequr nga faqja e lajmërimeve të APP. Me sa duket, dikush është frikësuar. Nuk është e lehtë të bësh një pagesë 20 milionë euroshe pasi ke çuar 4.3 milionë euro të shqiptarëve në xhepat e një privati, dhe pasi gjithë Bota po flet për këtë rast të paprecedentë korrupsioni!”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb